Katër astronautët e misionit Artemis 2 po fluturojnë drejt Hënës pasi u shkëputën me sukses nga orbita e Tokës, duke shënuar një moment historik për NASA-n. Në lidhjen e parë me Tokën që nga nisja dy ditë më parë, astronautët e përshkruan eksperiencën dhe pamjet si të jashtëzakonshme.
“Nga këtu mund ta shihni të gjithë globin nga poli në pol. Mund të shihni Afrikën, Evropën dhe nëse shikon më afër, mund të dallosh Dritat Veriore. Momenti më spektakolar”, tha komandanti i misionit, Reid Wiseman.
Astronauti kanadez Jeremy Hansen tha se hera e tij e parë në hapësirë e kishte bërë të ndihej si fëmijë.
“Për mua, është thjesht kaq e jashtëzakonshme. Më pëlqen shumë këtu lart. Do të doja të kisha ardhur më herët. Është thjesht një vend kaq i mrekullueshëm për të qenë. Pamjet janë të jashtëzakonshme”.
Misioni 10 ditor Artemis 2 synon të hapë rrugën për një ulje në Hënë në vitin 2028. Ai gjithashtu shënon një sërë arritjesh: dërgimin e personit të parë me ngjyrë, gruas së parë dhe jo-amerikanit të parë në një mision hënor.
Nëse gjithçka shkon mirë, astronautët do të vendosin një rekord duke u larguar më shumë nga Toka se çdo njeri më parë, 402,336 km.
Ky është gjithashtu fluturimi i parë me ekuipazh i Sistemit të Nisjes në Hapësirë të NASA-s, i projektuar për t’i lejuar SHBA-së të kthehet vazhdimisht në Hënë me qëllim krijimin e një baze të përhershme për eksplorim të mëtejshëm.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 