Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur dëgjimin e dëshmive, për çështjen 5D. Para trupës gjykuese u paraqitën katër dëshmitarë, ndërsa Alfred Qato nuk kishte mundësi që të vinte të enjten në gjykatë.

Trupa gjykuese do e rithërrasë sërish në seancën e radhës.

Para togave të zeza dhanë shpjegime Eduart Meta, Jona Bejko dhe Petrit Muhameti. Ky i fundit figuronte në dokumente pronari i kompanisë VAS Konstruksion, që më pas ndryshoi emrin dhe u bë 5D Konstruksion.

Muhameti është vjehrri i Alfred Qatos, vëllait të ish-drejtorit të IKMT, Mariglen Qato. Para gjykatës, Petrit Muhameti sqaroi si u bë ai pronari i kompanisë.

“Në firmën VAS Konstruksion, m’u ofrua të bëhesha pronar, nga viti 2016-2017. Ma ofroi dhëndri im, Alfred Qato. Është një firmë e mirë, më tha, do jesh pronar i kësaj kompanie. Nuk do bësh asgjë, ke staf për punën, vetëm do firmosësh. Hapa një llogari në bankë për të tërhequr lekët. Pas një viti e shita, për shkak të problemeve shëndetësore. I kërkova Alfredit të hiqja dorë. Kur e bleva nuk mora lekë, edhe kur e shita me 10 milionë lekë, nuk mora lekë. Nestori nuk më ka kaluar shumë monetare. Kur unë isha ortak, nuk njihja asnjë nga punonjësit. Kam shkuar një herë të kompania”.

Më tej, në dëshmin e tij, Petrit Muhameti ka dhënë detaje edhe për shumat e parave që ka tërhequr nga llogaria e kompanisë.

“Fitimin e kompanisë do e procesonim nga banka. Më pëlqeu se thashë është punë me bankë. Puna ishte 25 minuta, lekët ia jepja Fredit. Nga 32 milionë lekë të vjetra, pasi ndërruam bankën, ia dhashë Nestorit, 4 herë. Shumat ishin: 42 milionë më e madhja, 32, 37, 38, 40, 18 milionë ishte më e vogla. Më tha Fredi mua, ta takoja Nestorin.

Në këtë proces dëshmitarët e tjerë të thirrur nga prokuroria kanë dhënë shpjegimet e tyre në lidhje me çdo gjetje të organit të akuzës. Në seancën e ardhshme do të pyetjen 5 dëshmitarë të tjerë, të cilët janë kërkuar nga prokuroria.

Kompania 5D Konstruksion sh.p.k, sipas SPAK, posedohej në mënyrë de facto nga Redi Molla dhe Mariglen Qato. Ata dyshohen se kanë përfituar tendera nga Bashkia e Tiranës në kundërshtim me ligjin.

Tv Klan

/tvklan.al