Udhëheqësi i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, ka thyer heshtjen me mesazhin e tij të parë publik, ku kërcënon me bllokimin e Ngushticës së Hormuzit dhe sulme ndaj bazave amerikane.
Përmes një mesazhi të lexuar në televizionin shtetëror, Mojtaba Khamenei ka shpalosur linjën e ashpër të Teheranit.
Ai deklaroi se Irani do të vijojë të përdorë “levën e bllokimit” të Ngushticës së Hormuzit si mjet presioni.
Ndonëse foli për një politikë “miqësie” me fqinjët, ai u bëri thirrje vendeve të rajonit të mbyllin bazat amerikane, duke paralajmëruar se Irani do të vijojë t’i shënjestrojë ato.
Lideri i ri u zotua për hakmarrje, veçanërisht pas sulmit të fundit në Minab, ku një shkollë u godit nga një raketë që Teherani pretendon se ishte amerikane.
Reagimi nga Shtëpia e Bardhë ishte i menjëhershëm. Presidenti Donald Trump, përmes një postimi në rrjetet sociale, e cilësoi Iranin si një kërcënim botëror. Trump theksoi se SHBA është tashmë prodhuesi më i madh i naftës në botë dhe rritja e çmimeve i favorizon ekonomikisht.
“Shtetet e Bashkuara janë padyshim prodhuesi më i madh i naftës në botë, kështu që kur çmimet e naftës rriten, ne fitojmë shumë para. Por, me interes dhe rëndësi shumë më të madhe për mua, si President, është ndalimi i një Perandorie të ligë nga të pasurit armë bërthamore dhe shkatërrimi i Lindjes së Mesme dhe, në fakt, i botës. Nuk do ta lejoj kurrë që kjo të ndodhë”, deklaroi Trump.
Në këtë klimë tensionesh, diplomacia europiane po kërkon me ngulm uljen e tensioneve. Gjatë një vizite në Turqi, ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, bëri thirrje për një zgjidhje diplomatike.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
