Vigjilja e Krishtlindjes ka shënuar fluks të shtuar në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës. Janë të shumtë emigrantët që kanë zgjedhur të festojnë në atdhe pranë familjarëve të tyre. Autoritetet shqiptare po punojnë me sportele të shtuara dhe me procedurë të përshpejtuar për mjetet me targa greke, por sërish vonesat nuk janë shmangur. Qytetarët thonë se kanë qëndruar mbi 2 orë në radhë në doganën greke.

Fluks të shtuar lëvizjesh ka pasur edhe në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës. Vetëm këtë të mërkurë janë shënuar mbi 9 mijë hyrje-dalje.

Rritje të fluksit të hyrjeve ka pasur edhe në pikën e kalimit kufitar të Hanit të Hotit në Shkodër. Autoritetet raportojnë për rreth 14 mijë persona të futur në vend në 2 ditët e fundit, ndërsa rreth 8 mijë të tjerë në dalje.

Fluksi i udhëtarëve mbetet i lartë edhe në Portin e Durrësit. Mëngjesin e së mërkurës mbërritën 2 tragete me rreth 1200 pasagjerë, kryesisht emigrantë që kthehen në vend për të festuar fundvitin pranë familjeve të tyre. Sipas të dhënave zyrtare, në 5 ditët e fundit kanë hyrë nëpërmjet këtij porti mbi 17 mijë pasagjerë dhe mbi 4 mijë automjete, duke reflektuar një rritje të ndjeshme të qarkullimit.

Tv Klan

/tvklan.al