Monedha e përbashkët evropiane, Euro ka shënuar një tjetër rënie të fortë në tregun vendas.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kursi Euro-Lek paraqitet në rënie vjetore me 6.7%, duke prekur nivelin më të ulët të tre viteve të fundit.  

Sot, kursi zyrtar këmbehet në rreth 90.18 lekë, ndërsa në pikat e këmbimit valutor qytetarët e blejnë atë në pragun e 90 lekëve. Por cilat janë arsyet e kësaj rënieje?

Sipas Bankës së Shqipërisë, ekonomia jonë po kalon një moment shumë pozitiv të Bilancit të Pagesave.

Për 6-mujorin e parë të 2026, deficiti i llogarisë korrente ra me mbi 40%, duke zbritur në nivelin më të ulët që prej vitit 2018.

Kjo erdhi falë rritjes së jashtëzakonshme të turizmit, i cili i solli ekonomisë afër 1 miliard euro të ardhura neto, por edhe prej remitancave.

Në këtë skenar ka ndihmuar fuqimisht edhe rritja e Investimeve të Huaja Direkte, të cilat arritën në 1.144 miliardë euro për gjashtëmujorin, të ndikuara nga projektet e mëdha në pasuritë e paluajtshme.

Kësaj i shtohet edhe sufiçiti i lartë buxhetor prej mbi 70 miliardë lekësh, i cili ka ulur ndjeshëm sasinë e Lekut në qarkullim. Në të tilla kushte, tregu vijon të favorizojë monedhën vendase.

/tvklan.al