I sapo ktheyr nga Brazili ku mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të CDI-së, Sali Berisha iu bashkua protestuesve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nga ku u zotua për rrëzimin e qeverisë.

“Ky është sheshi ynë, ky është sheshi i lirisë. Do e çlirojmë edhe atë ndërtesë. Erdhëm këtu për t’i qëndruar armikut përballë, për t’i futur tmerrin hajdutit, për t’i thënë hajdutit qërohu. Erdhëm këtu për të mos ikur kurrë nga ky shesh pa fitoren. Çdo shqiptar duhet ta dijë këtu se ky shesh, kjo foltore përmbush misionin e saj vetëm kur shqiptarët të largojnë këta hajdutë nga qeveria.“

Edhe në këtë tubim renditi akuzat në adresë të Ramës e Ballukut, duke e cilësuar qeverinë si më antishqiptaren që ka njohur kombi.

“Për tunelin e Llogarasë  kanë vjedhur minimumi 50 milionë euro. 400 milionë euro për djegësin e Tiranës, Fierit dhe Elbasanit. Asnjë prej tyre sot nuk ekziston. Unaza e Madhe e Tiranës si loti 4 janë 14 lote, me të cilat Lubi Balluku me Edi Ramën e rritën kostot e ndërtimit të Unazës në 450 milionë euro.”

Rrugët e shembura ditët e fundit nga shirat e rrëmbyer sipas kryedemokratit janë një tjetër dëshmi e korrupsionit të qeverisë.

“Pse nuk lëvizi skarpata e Rrugës së Kombit? Pse nuk lëvizi skarpata e rrugës Fratar-Memaliaj. Kurse rrugët e Lubisë dhe të Ramës u shembën njëra pas tjetrës. Në 12 vite, Edi Rama me Lubi Ballukun kanë administruar taksat tuaja, 67 miliardë euro. Në 8 vite, kemi administruar 28 miliardë euro.”

Berisha rrëfeu edhe prapaskenat që tha se janë zhvilluar në takimin 7 orësh mes Ramës e Ballukut në kryeministri, pas vendosjes të masës së pezullimit nga detyra që GJKKO dha për zvkryeministren.

“I kërkoi të japë dorëheqjen. Jo, i tha, nuk jap dorëheqjen se pastaj do shkoj në burg. Po ç’t’u bëj atyre mesazheve që ke bërë ti, i thotë Rama. Çfarë flet ti, ke 60 mesazhe të Evis Berberit në dosje, të cilat tregojnë se ke diktuar çdo gjë. I kërkoi të paktën të shkojë qeveria në Gjykatë Kushtetuese. Jo, i tha ky, do shkosh vetë. Si përfundim, e ka dërguar Edi Rama në Gjykatë Kushtetuese. Absolutisht e bën vetëm për veten e tij, sepse vetë nuk shkonte dot.”

Opozita do të mblidhet sërish përpara Kryeministrisë javën e ardhshme, ndërkohë që demokratët kanë paralajmëruar edhe mbajtjen e një proteste kombëtare.

Tv Klan

/tvklan.al