Veliaj: Nuk përfitojnë ata që kanë dy apo tre shtëpi

Këshilli Bashkiak pritet të miratojë këtë javë dosjet për pagesat cash të familjeve të dëmtuar nga tërmeti. Teksa pa nga afër këndin e krijuar tek Fusha e Aviacionit, kryebashkiaku Veliaj, bëri me dije se fondi i tërmetit është vetëm për familjet në nevojë.

“Nëse dikush ka aplikuar për të përfituar nga fondet e tërmetit, por ka dy apo tre shtëpi, nuk ka të drejtë. Ky është një fond solidariteti, një fond social për të ndihmuar nevojtarët, jo dikë që e ka shtëpinë e dytë, të tretë apo të katërt. Kjo është një nga arsyet pse na merr kohë verifikimi i dosjeve. Do fokusohemi tek nevojtarët. Kushdo tjetër, që mundohet të përfitojë nga skema të solidaritetit, harxhon kohën e tij”.

Duke ju referuar transformimit të zonës së Fushës së Aviacionit, Veliaj tha se çdo muaj është ndërtuar një kënd i ri lodrash.

“Ky park u çlirua në kohën e Edi Ramës. Askush nuk e mendonte se një fushë e braktisur aviacioni mund të kthehej në një park linear. Shoh se shumë nga pemët që u mbollën në kohë të Edit, sot bëjnë hije për banorët këtu. Në çdo muaj kemi ndërtuar nga një kënd të ri lodrash dhe më vjen mirë që kemi ruajtur këtë ritëm”.

Krahas moduleve të ndryshme të lojërave dhe hapësirave çlodhëse, në ish-Fushën e Aviacionit do të ndërtohen edhe fusha futbolli.

Tv Klan