2026 shënohet si vit historik për pasurinë globale. Sipas renditjes së re të Forbes, 3428 biznesmenë, investitorë dhe trashëgimtarë janë në listën e bollshme të miliarderëve. Numërohen 400 më shumë se në vitin 2025, me një vlerë totale prej 20.100 miliard $, 4000 më shumë se vitin e kaluar.

Lista dominohet nga SHBA, me 989 super të pasur, përfshirë këtu edhe 15 ndër 20 të parët në botë. Ndiqen nga Kina me 610, India me 229. Ajo që bie në sy është fakti se në renditjen e vendeve të para janë të gjithë nga dy sektorë, teknologjia dhe moda. Ndryshimi i madh që ka ndodhur është përfshirja e IA në teknologji, duke rritur në mënyrë eksponenciale pasurinë e më të pasurve, por njëkohësisht edhe një instrument më shumë për të rritur akoma më shumë hendekun mes të varfërve e të pasurve.

Elon Musk konsolidon vendin e parë me një distancë të jashtëzakonshme nga i dyti në renditje, duke grumbulluar pasuri me vlerë 839 mld $, duke e trefishuar brenda jo më shumë se 20 muajve. Ndiqet nga Larry Page, CEO i Alphabet, kompani “kushërire” e Google, e më pas Sergei Brin, president i të njëjtit biznes, Alphabet.

Jeff Bezos, lideri i e-commerce, renditet këtë vit vetëm i katërti, me 224 mld $, i ndjekur nga Mark Zuckerberg me 222 mld $, duke humbur të dy kështu krenarinë e garës së vendit të parë apo të dytë, sikurse ndodhte për vite të tëra më herët.

Në këtë renditje vihet re edhe një rritje e pranisë femërore, me 481 gra miliardere në glob, dhe regjistrohet njëkohësisht një rritje e sektorit self-made, çka do të thotë se sot 67% e miliarderëve e kanë ndërtuar trashëgiminë personale duke e nisur vetë nga 0.

Gjithashtu janë 20 persona të tjerë që bëjnë pjesë në të ashtuquajturin “Klubi i 100 mld” në këtë renditje, gjysma e të cilëve nga sektori teknologjik. Një ndër ta është Changpeng Zhao, themelues i Binance, me 110 mld $, duke kaluar kështu edhe Bill Gates, por edhe figura më të pushtetshme si Donald Trump, që ka një pasuri prej vetëm 6.5 mld $.

Ndërsa janë 390 miliarderë të rinj që rishtaz janë bërë pjesë e klasifikimit, ndër të cilët Dr. Dre, Beyoncé dhe Roger Federer.

Renditja 2026 tregon dhe prek disa rekorde të reja, sikurse 22-vjeçari Surya Midha, miliarder i ri self-made me pasuri prej 18 mld $, i ndjekur në këtë listë gjithashtu nga 35 miliarderë nën moshën 30 vjeç. Ndërsa miliarderi më i moshuar në listën e zgjeruar të 2026 është 104-vjeçari George Joseph.

Lista është e dominuar nga meshkujt, por edhe gratë vijojnë përpjekjet dhe rritjen e numrit të tyre, ku 481 zonja janë miliardere, ose 14% e totalit. Pjesa më e madhe e tyre pasurinë e kanë si trashëgimi, përfshirë Alice Walton e Walmart, që është edhe gruaja më e pasur në botë për të dytin vit radhazi me 134 mld $, ku vitin e fundit numëron 1 mld $ më tepër në krahasim me 2025.

80% e miliarderëve të pranishëm në klasifikimin e Forbes kanë ruajtur të njëjtën vlerë ose e kanë shtuar pasurinë gjatë vitit të fundit.

Ndër ata që këtë vit nuk janë më pjesë janë 89 emra, ndër të cilët manjati imobiliar Charles Cohen, i përfshirë nga një krizë debitesh, apo administratori i NASA-s Jared Isaacman. Gjithashtu 39 miliarderë janë ndarë nga jeta në vitin 2025, ndër të cilët Giorgio Armani.

Çdo vit në muajin mars, që prej vitit 1987, revista amerikane Forbes nisi të publikojë renditjen e personave më të pasur në botë, duke nisur nga miliard $.

Mbretër e diktatorë, pasuria e të cilëve mbërrin nga pozicioni dominant, janë të përjashtuar nga ky klasifikim, që në fakt është treguesi i pasurive personale të dokumentuara, duke përjashtuar gjithashtu edhe pasuritë e bosëve të krimit.

Ndërsa për sa i përket një historiku të njerëzve më të pasur të njerëzimit, duke konvertuar çdo element me vlerën e sotme, në krye të renditjes është perandori i parë romak Augusti, stërnip i Cezarit, me një pasuri që përllogaritet prej rreth 4.6 trilion $. Ai jo vetëm arriti të qeverisë të gjithë perandorinë i vetëm, por kishte në dorë 30% të prodhimit ekonomik të gjithë botës. Akumuloi aq pasuri personale sa ishte e barabartë me 1/5 e ekonomisë së perandorisë së Romës.

Ndërsa perandori i Malit dhe mbreti i Timbuktu, Mansa Musa, në mesjetë, është në krye të renditjes së historisë njerëzore. Ishte i pasur mbi e përtej çdo përshkrimi të mundshëm. Prodhues floriri në një periudhë të artë. Nga shkrimet tregohet se gjatë një pelegrinazhi për në Mekë, duke kaluar në Egjipt, shpërndau një sasi të tillë ari saqë shkaktoi një krizë inflacioni të rëndë që zgjati 12 vjet.

Ndërsa vendet më të pasura në botë, sipas të dhënave të FMN, referuar World Economic Outlook në bazë të prodhimit të brendshëm bruto të renditjes 2026, në vend të parë renditet Luksemburgu. Ekonomia e vendit më të pasur në botë bazohet në një sektor financiar shumë të fuqishëm dhe nga politika fiskale ekstremisht avantazhuese, që e kanë bërë parajsë financiare. Ndiqet nga Singapori, pasuria e të cilit mbërrin nga një kombinim strategjik, me një port tregtar me rëndësi primare, sektor financiar të avancuar dhe industri të sofistikuar.

Në vend të 3-të renditet Macao, që është kthyer në kryeqytetin botëror të lojërave të fatit, duke lënë pas edhe Las Vegas. Kazinotë dhe turizmi janë shtyllat e ekonomisë të këtij vendi të vogël me rreth 650 mijë banorë.

Renditja vijon me Irlandën, Katarin, Norvegjinë, Zvicrën, Brunein dhe në vend të 10 janë SHBA.

Klan News