Shqipëria nuk po tërheq më turistët vetëm për detin dhe plazhet. Këtë herë është revista prestigjioze amerikane “Forbes” që e vendos vendin në qendër të vëmendjes, duke i propozuar vizitorëve një tjetër mënyrë për ta përjetuar Shqipërinë, përmes natyrës, historisë dhe jetës së njerëzve.

Nga Alpet dhe shtigjet malore, te qytetet muze dhe fshatrat tradicionalë, artikulli sjell një Shqipëri që, sipas revistës amerikane, ia vlen të zbulohet ngadalë. Kruja, Korça, Gjirokastra, Berati, por edhe zonat alpine, bëhen pjesë e itinerareve turistike që largohen nga destinacionet e mbipopulluara.

Dhe këtu është edhe ndryshimi. Turisti nuk është më vetëm spektator. E veçanta, sipas Forbes, është kontakti me jetën lokale. Vizitorët mund të hanë në shtëpi tradicionale, të provojnë produkte të përgatitura nga familjet vendase, të ecin në zonat alpine apo edhe të qëndrojnë në stanet e barinjve.

Një model turizmi që tregon se potenciali i Shqipërisë nuk qëndron vetëm te numri i turistëve, por edhe te sa gjatë qëndrojnë, çfarë përvoje blejnë dhe sa të ardhura shpërndahen në komunitetet lokale.

Dhe pikërisht kjo është Shqipëria që po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen ndërkombëtare, një model që sjell më shumë se fotografi të bukura.

Tv Klan

/tvklan.al