Forcat e Armatosura po vazhdojnë me intensitet punën në përforcimin e argjinaturave, evakuimin e popullsisë në zonat e përmbytyra nga Lezhë dhe Shkodër dhe transportin e mallrave të ndryshëm. Në këtë operacion janë angazhuar 190 forca dhe dhjetëra mjete ushtarake.

Në Ishull Lezhë janë angazhuar forcat xheniere, të cilat kanë transportuar 224 m3 inerte për forcimin e argjinaturës. Ndërsa brigada e Mbrojtjes Rajonale ka vazhduar punën në fshatin Tale të Lezhës për riparimin e argjinaturës së dëmtuar, duke transportuar 120 m3 inerte.

Në zonën e Dajçit janë mobilizuar 118 forca dhe 25 mjete, duke vazhduar evakuimin e banorëve të rrezikuar. Në këtë zonë janë vendosur 600 thasë me rërë për të bllokuar çarjet e pritave. Në Shkodër dhe në zonën e Dajçit krahas batalionittë reagimit të shpejtë kanë mbërritur edhe 17 forca të Sigurisë së Kosovës, duke i ardhur në ndihmë popullsisë civile.

Komanda e Mbrojtjes Rajonale në Shkodër ka angazhuar 49 forca, 8 mjete dhe 5 varka, që gjatë ditës së sotme kanë riparuar tre rrugë me material inerte, kanë evakuar popullësinë, kanë furnizuar me ushqime familje që jetojnë në zonat e përmbytura  dhe kanë transportuar të sëmurët për në spitalin civil të Shkodrës.

Tv Klan