Formula 1 hap një kapitull të ri në historinë e saj, me Afrikën që rikthehet në hartën e garave më të rëndësishme të automobilizmit botëror.

Ruanda ka arritur një marrëveshje dhjetëvjeçare me drejtuesit e kampionatit për të organizuar një Çmim të Madh, duke nisur nga viti 2030.

Ky zhvillim vjen pas më shumë se tri dekadash pa gara të Formula 1 në kontinentin afrikan.

Herën e fundit, makinat më të shpejta në botë garuan në Afrikë në vitin 1993, në pistën Kyalami të Afrikës së Jugut, ku triumfoi Alain Prost me Williams.

Gara e re do të zhvillohet në një pistë të përhershme që do të ndërtohet në Bugesera, rreth 40 kilometra larg kryeqytetit Kigali, në afërsi të aeroportit të ri ndërkombëtar.

Projekti është konceptuar nga ish-piloti i Formula 1, Alex Wurz, me synimin për të shfrytëzuar terrenin natyror dhe ndryshimet e lartësisë për të krijuar një pistë me karakteristika të veçanta dhe sfida teknike për pilotët.

Për Ruandën, organizimi i një gare të këtij niveli përfaqëson një mundësi për të rritur profilin e saj ndërkombëtar dhe për të tërhequr më shumë vizitorë.

Ndërsa për Formula 1, rikthimi në Afrikë është pjesë e strategjisë për të zgjeruar audiencën dhe për të forcuar praninë në tregje të reja.

Pavarësisht marrëveshjes, ende nuk është përcaktuar data e saktë e garës së parë.

Një tjetër sfidë lidhet me kalendarin e kampionatit, pasi Formula 1 synon të ruajë numrin prej 24 garash në sezon.

Kjo do të thotë se hyrja e Ruandës mund të shoqërohet me ndryshime në organizimin e garave ekzistuese.

Nëse projekti realizohet sipas planit, viti 2030 do të shënojë fundin e një pritjeje dhe rikthimin e Afrikës në një prej skenave më prestigjioze të sportit motorik.

Klan News

/tvklan.al