BE-ja po përballet me një nga krizat më të mëdha të emigrantëve për Bashkimin Evropian në vitet e fundit, pasi rreth 60,000 njerëz hynë në enklavën spanjolle të Ceutës në Afrikën e Veriut nga Maroku. Zyrtarët thanë se më shumë se 48,000 emigrantë ishin kthyer deri të premten në mbrëmje, por arsyet për fluksin e papritur mbeten të paqarta.

Franca dhe Italia forcuan kontrollet kufitare të shtunën. Franca shtrëngoi kontrollet në kufirin e saj me Spanjën dhe tha se do të pesëfishonte praninë e saj policore atje në 334 oficerë dhe xhandarë. Italia njoftoi se kishte pezulluar marrëveshjen e saj të Shengenit me Spanjën dhe zyrtarët italianë thanë se pezullimi do të hynte në fuqi të shtunën dhe do të zgjaste për një muaj. Disa vende evropiane sugjeruan që anëtarësimi i Spanjës në zonën e lëvizjes së lirë të Shengenit duhet të pezullohet, megjithëse ministri i jashtëm i Spanjës tha se integriteti i zonës ishte “i garantuar”.

Spanja tha se kalimet e migrantëve në enklavën e saj të Afrikës së Veriut, Ceuta, ishin ndaluar gjatë natës, ndërsa policia filloi të instalonte një barrierë lundruese 500 metra të lartë të shtunën pranë kufirit të saj me Marokun. Policia e Gardës Civile filloi vendosjen e barrierës së re në Tarajal, një nga pikat kryesore të përdorura nga marokenwt që përpiqen të hyjnë në territorin e vogël spanjoll. Barriera është projektuar të qëndrojë 30 deri në 70 centimetra mbi ujë dhe të shtrihet deri në një metër nën sipërfaqe ndërsa një kanal midis barrierave do t’u lejojë anijeve të Gardës Civile të patrullojnë zonën.

Finlanda dhe Danimarka mbështetën veprimet e Italisë, ndërsa kancelari gjerman Friedrich Merz kërkoi që Maroku “të marrë mbrapsht menjëherë emigrantët e paligjshëm”. Franca dhe Britania thanë se ishin të gatshme të ndihmonin Spanjën edhe pse Franca shtrëngoi kontrollet kufitare. Kryeministri portugez Luis Montenegro tha se po shqyrtonte forcimin e kontrolleve kufitare, por nuk shihte nevojën për të pezulluar Spanjën nga zona Shengen.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni theksoi se imazhet nga Ceuta kanë demonstruar edhe një herë urgjencën e një përgjigjeje evropiane ndaj imigracionit të paligjshëm.

“Kjo është arsyeja pse Italia, së bashku me Danimarkën, ka promovuar një letër të nënshkruar nga 22 shtete anëtare të Bashkimit Evropian, duke bërë thirrje për veprime të përbashkëta për të forcuar kufijtë e jashtëm, për të luftuar imigracionin e parregullt, për të luftuar trafikantët e qenieve njerëzore, për t’i bërë riatdhesimet më efektive dhe për të eliminuar çdo faktor që mund të inkurajojë hyrjet e reja të paligjshme”, tha Meloni.

Mbrojtja e kufijve të jashtëm të Unionit nuk është në interes të njw kombi të vetëm, por përgjegjësi e përbashkët e Evropës, ka deklaruar Meloni.

Ministri i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Albares, u përpoq të qetësonte vendet anwtare tw BE, duke thënë se “nuk ishte e mundur të udhëtoje nga Ceuta dhe Melilla në Gadishull pa u identifikuar në një pikë kontrolli policor”, duke iu referuar dy enklavave të Spanjës në Afrikën e Veriut.

Ceuta, një territor prej 18.5 kilometrash katrorë dhe enklava e afërt e Melillës janë dy kufijtë e vetëm tokësorë të Evropës me Afrikën. Gjatë një dyndjeje të ngjashme në vitin 2021, më shumë se 10,000 migrantë arritën në Ceuta nga Maroku fqinj gjatë dy ditëve gjatë një grindjeje diplomatike midis dy vendeve. Grindja shpërtheu pasi Spanja vendosi të strehonte për trajtim mjekësor një udhëheqës të Frontit Polisario, guerilasit e të cilit zhvilluan një luftë të gjatë me Rabatin për pavarësinë e rajonit të Saharasë Perëndimore.

/tvklan.al