Franca ka festuar këtë të martë Ditën e Bastijës me paradën tradicionale ushtarake në bulevardin ikonik Champs-Élysées.
Por këtë vit, ceremonia për festën kombëtare ka tejkaluar simbolikën duke u shndërruar në një demonstrim të unitetit dhe forcës ushtarake të Evropës, në një kohë kur lufta në Ukrainë vijon të dominojë axhendën e sigurisë në kontinent.
Me ftesë të presidentit Emmanuel Macron, në ceremoni morën pjesë dhjetëra liderë evropianë dhe përfaqësues të lartë të institucioneve euroatlantike.
Mes tyre ishin kryeministri Edi Rama, kancelari gjerman Friedrich Merz, sekretari i përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, si edhe drejtues të tjerë evropianë.
Para nisjes së paradës, të ftuarit u pritën nga Zonja e Parë Brigitte Macron dhe ministri francez i Mbrojtjes, Sébastien Lecornu. Më pas, presidenti Macron iu bashkua ceremonisë pas inspektimit tradicional të forcave të armatosura franceze.
Në paradë morën pjesë mijëra ushtarakë, dhjetëra mjete të blinduara dhe avionë luftarakë, ndërsa për herë të parë u përfshinë në numër të madh edhe njësi nga vende të ndryshme evropiane.
Mes tyre ishte edhe një repart i këmbësorisë së Forcave të Armatosura të Shqipërisë, si pjesë e të ashtuquajturit “koalicioni i vullnet mirëve”.
Flamuri shqiptar parakaloi krah për krah me ata të vendeve të tjera pjesëmarrëse, ndërsa parada u mbyll me marshimin e trupave ukrainase, të cilat u pritën me duartrokitje të gjata nga liderët e pranishëm dhe publiku, në një tjetër mesazh solidariteti dhe mbështetjeje për Kievin.
Për Francën, 14 Korriku simbolizon lirinë, barazinë dhe vëllazërinë vlerat mbi të cilat u ndërtua Republika Franceze.
Në vitet e fundit, kjo festë është përdorur edhe për të përcjellë mesazhe politike dhe strategjike, si mbështetja për Ukrainën dhe forcimi i bashkëpunimit evropian në fushën e mbrojtjes.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 