Kur presioni rritet, Franca tregon edhe një herë forcën e një skuadre të madhe. Përballë Marokut, “Gjelat” nuk patën një mbrëmje të lehtë. Penalltia e humbur nga Kylian Mbappé dhe rastet e shumta të shpërdoruara në pjesën e parë mund të kishin ndryshuar ritmin e ndeshjes, por skuadra e Didier Deschamps ruajti qetësinë dhe vazhdoi të besonte te cilësia e saj.

Me durim dhe kontroll të topit, Franca priti momentin e duhur për të goditur, duke u mbështetur te talenti i lojtarëve ofensivë si Mbappé, Olise, Désiré Doué dhe Dembélé. Kjo pjekuri taktike është një nga arsyet pse Franca ka arritur pesë herë në gjysmëfinalet e Europianëve ose Botërorëve në shtatë turne që nga viti 2012, kur Deschamps mori drejtimin e kombëtares.

“Ka shumë krenari për të qenë këtu. Edhe pse nuk ishim mjaftueshëm cinikë në pjesën e parë, skuadra ruajti besimin dhe tregoi forcë për të kontrolluar ndeshjen. Duhet të jemi të kënaqur me atë që kemi arritur, por pa humbur përqendrimin, sepse jemi ende vetëm në gjysmëfinale. Tani duhet të përgatitemi për një moment shumë të veçantë për Francën, 14 korrikun”, pohoi Didier Deschamps, trajner i Francës.

Në qendër të vëmendjes mbetet sërish Kylian Mbappé. Kapiteni francez vazhdon të shkruajë histori në Kupën e Botës. Me golin dhe asistin ndaj Marokut, ai arriti kuotën e 20 golave në Botërorë, 7 prej tyre në këtë edicion, duke konfirmuar statusin e tij si një nga protagonistët kryesorë të turneut. Megjithatë, ylli francez kërkon të mbajë këmbët në tokë dhe ia atribuon suksesin forcës së grupit.

“Kjo nuk është ende skuadra më e fortë. Kam qenë kampion bote dhe kam luajtur një finale Botërori, por kjo skuadër nuk e ka fituar ende trofeun. Ka shumë potencial, shumë cilësi dhe na lejon të ëndërrojmë, por skuadrat më të forta janë ato që fitojnë. Ne kemi lojtarë me cilësi, por mbi të gjitha jemi një grup i bashkuar, që lëviz në të njëjtin drejtim: drejt fitores”, u shpreh Kylian Mbappé.

Me një brez të artë dhe një objektiv të qartë, Franca kërkon të shkojë deri në fund. Por para trofeut të madh, mbetet edhe një pengesë: gjysmëfinalja.

Klan News

/tvklan.al