18 nëntor 2026- Franca nuk është “palë ndërluftuese” në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës dhe nuk ka ndërmend të bëhet e tillë, deklaroi ministri i Jashtëm, Jean-Noel Barrot, duke hedhur poshtë pretendimet ruse se prania e personelit ushtarak francez në Ukrainë përbën pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në konflikt.

“Ne padyshim që nuk jemi palë ndërluftuese në Ukrainë. Nuk kemi ndërmend të bëhemi të tillë”, tha Barrot në një intervistë për televizionin France 5.

Deklarata e tij erdhi pasi ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, tha se prania e personelit ushtarak francez në Ukrainë përbën përfshirje të drejtpërdrejtë në luftë, duke shtuar se Moska ia kishte përcjellë shqetësimet e saj Parisit.

Barrot tha se Franca vazhdon të mbështesë ushtrinë ukrainase duke dërguar në vend një numër të kufizuar instruktorësh dhe personeli për mirëmbajtjen e pajisjeve.

Ai theksoi se aktivitetet e tyre zhvillohen larg vijës së frontit dhe nuk përbëjnë përfshirje të drejtpërdrejtë ushtarake.

Edhe zëvendësministrja franceze për Forcat e Armatosura, Alice Rufo, hodhi poshtë pretendimin rus, duke e cilësuar atë si “absurd” gjatë një seance parlamentare.

Rufo tha se personeli francez ndodhet në Ukrainë për detyra të caktuara trajnimi dhe mirëmbajtjeje të pajisjeve, duke shtuar se prania e tyre nuk përbën ndërhyrje të armatosur apo pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në konflikt.

/tvklan.al