Franca nuk e pati të vështirë të kalonte Suedinë për t’u kualifikuar në fazën e 1/8 të Botërorit, ku do të luajë me Paraguajin. Skuadra e Deschamps fitoi 3–0 falë golave të Mbappé dhe Barcola. Një rol kyç në këtë sfidë pati Olise, i cili dha 2 pasime për gol. Mbappé zhbllokoi rezultatin në fundin e pjesës së parë. Në fillimin e të dytës Barcola dyfishoi avantazhin, ndërsa në minutën e 74’ Mbappé siguroi fitoren. Ky ishte goli i gjashtë në këtë turne për kapitenin e Francës, duke barazuar Messin. Didier Deschamps, i cili është edhe trajneri me më shumë fitore në finalet e Kupës së Botës, 18 të tilla në 23 ndeshje, tha pas takimit se do të preferonte ta kishte mbyllur më herët sfidën.

“Bëmë atë që duhej të bënim, edhe pse në 15 minutat e para ishim pak të tërhequr. Por më pas treguam se kemi aftësinë të krijojmë raste. I vetmi peng i vogël është që nuk u treguam më të saktë në pjesën e parë, pasi do ta kishim mbyllur më herët ndeshjen.”

Erling Haaland ishte vendimtar për Norvegjinë, që mundi me rezultatin 2–1 Bregun e Fildishtë, i cili krijoi më shumë raste, por nuk i shfrytëzoi siç duhet. Nusa kaloi norvegjezët në avantazh në minutën e 39’. Diallo barazoi shifrat në 1–1 në të 74’, por skuadra afrikane nuk arriti ta mbrojë këtë rezultat. Goli vendimtar u realizua nga Haaland në të 86’, duke kualifikuar skuadrën skandinave që do të luajë me Brazilin në takimin e ardhshëm.

Meksika fitoi përsëri në këtë Botëror, ku ende nuk ka pësuar gol. Në takimin që nisi me rreth 1 orë vonesë për shkak të motit të keq, meksikanët mundën me rezultatin 2–0 Ekuadorin. Meksika mbetet e pathyer në stadiumin “Azteca” në ndeshjet që ka luajtur si pritëse e Botërorit, përfshirë turnetë e 1970 dhe 1986.

Këto takime u transmetuan në Tv Klan.

Tv Klan

/tvklan.al