Franca ka pezulluar përkohësisht programin e saj për pranimin e palestinezëve që largohen nga Gaza, njoftoi ministri francez i Jashtëm, Jean-Noël Barrot. Ky vendim është marrë ndërsa autoritetet po hetojnë një studente palestineze në Francë, e cila akuzohet për komentet antisemitike në rrjetet sociale.

E reja, 25 vjeçe, që studionte në qytetin Lille në veri të Francës me bursa, është përjashtuar nga universiteti i saj dhe duhet të largohet nga vendi. Universiteti Sciences Po Lille ka njoftuar se ka tërhequr akreditimin, pasi komentet e saj bien në kundërshtim të hapur me vlerat që promovon kjo institucion.

Që prej shpërthimit të konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit më 7 tetor 2023, Franca ka ndihmuar më shumë se 500 persona të largohen nga Gaza. Studentja kishte ardhur në Francë në muajin korrik dhe ishte parashikuar të fillonte mësimin në vjeshtë në Sciences Po Lille.

Ministri i Brendshëm francez, Bruno Retailleau, në një postim në rrjetin X, njoftoi se ka kërkuar mbylljen e llogarisë së saj dhe ndërmarrjen e veprimeve ligjore. Ai theksoi se “propagandistët e Hamasit nuk kanë vend në vendin tonë.”

Sipas ministrit Barrot, palestinezët që tashmë ndodhen në Francë përmes këtij programi do t’i nënshtrohen një kontrolli të ri, pas “mangësive që lejuan ardhjen e kësaj studenteje.” Ai shtoi se kontrollet e sigurisë të kryera nga shërbimet shtetërore dhe autoritetet izraelite nuk kishin zbuluar këto komente të papranueshme dhe shqetësuese.

Drejtori i universitetit Sciences Po Lille konfirmoi për agjencinë AFP se komentet ishin “në kundërshtim të drejtpërdrejtë me vlerat që mbështet institucioni.” Ai gjithashtu bëri të ditur se studentja ishte pjesë e një grupi të evakuuar nga Gaza përmes një programi të ministrisë franceze për Evropën dhe Punët e Jashtme./tvklan.al