Ministri francez për Evropën Benjamin Haddad ka vlerësuar reformat që po kryen qeveria shqiptare në fushën e sundimit të ligjit.
“Zgjerimi është një proces që duhet të bazohet në meritë dhe të përqendrohet tek reformat që ndërmerr secili shtet kandidat, veçanërisht për sundimin e ligjit, pavarësinë e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit. Ka shtete që po përparojnë me shpejtësi, duke hartuar dhe zbatuar reformat, veçanërisht Mali i Zi, por edhe Shqipëria. Kjo është shumë pozitive”, tha Ministri francez për Evropën, Benjamin Haddad.
Haddad theksoi se integrimi gradual nuk zëvendëson anëtarësimin e plotë të shteteve kandidate në BE.
“Integrimi gradual nuk është në asnjë mënyrë zëvendësues për anëtarësimin e plotë. Ajo që propozojmë ne është që shtetet kandidate të mund të integrohen gradualisht në blloqe të caktuara politikash, si tregu i brendshëm, siguria e përbashkët apo energjia; ndoshta të ulen në tryezë pa të drejtë vote dhe të marrin pjesë në diskutimet e politikave evropiane. Ky është një proces që mund të na ndihmojë t’i ankorojmë këto shtete ne Evropën e bashkuar, sic po ndodh me planin e rritjes, duke nxitur investimet dhe mbështetjen financiare për projekte ekonomike në rajon. Bëhet fjalë vërtet për të siguruar përfitime konkrete për qytetarët ndërkohë shtetet kandidate vijojnë reformat”, tha Haddad.
Sipas Haddad nuk duhen lënë zona gri në zemër të kontinentit tonë të hapura ndaj ndërhyrjeve apo destabilizimit nga fuqi të huaja armiqësore.
“Ne e mbështesim qartë zgjerimin e BE-së drejt Ballkanit Perëndimor. Madje, duhet të them se nuk më pëlqen termi “zgjerim”. Për mua, bëhet fjalë për ribashkimin e familjes evropiane. Është një domosdoshmëri gjeopolitike, veçanërisht në një kohë kur lufta është rikthyer në kontinentin evropian, dhe kur shohim se nuk mund të lëmë zona gri në zemër të kontinentit tonë të hapura ndaj ndërhyrjeve apo destabilizimit nga fuqi të huaja armiqësore. Është gjithashtu një mundësi ekonomike për të thelluar tregun tonë të përbashkët”, tha Haddad.
Franca dikur skeptike me zgjerimin është kthyer në një nga shtetet që mbështet përshpejtimin e këtij procesi.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
