17 shtator 2026- Rreth 100 peshkatarë bllokuan të enjten depot e naftës në Frontignan, në departamentin Herault, si dhe disa porte në jug të Francës, në shenjë proteste ndaj rritjes së çmimeve të karburantit. Lajmi u raportua nga transmetuesi francez “Franceinfo“.
Protestat nisën të hënën dhe gjatë ditëve të fundit janë shtrirë në disa departamente të jugut të vendit. Në Nicë, rreth gjashtë varka të vogla bllokuan nga deti hyrjen në port, duke penguar përkohësisht lëvizjen e mjeteve detare.
Bllokada ndikoi edhe në trafikun e trageteve. Një prej tyre u detyrua të devijohej drejt Italisë, ndërsa një jaht që kishte planifikuar të largohej nga porti u mbajt në pritje.
Në Frontignan, peshkatarët bllokuan sërish hyrjen në një depo nafte, duke kërkuar vëmendje ndaj rritjes së kostove të karburantit dhe vështirësive me të cilat po përballen.
Sipas policisë së Heraultit, rreth 150 deri në 200 peshkatarë penguan qarkullimin drejt dhe nga rafineria e Frontignan-it. Ndërkohë, rreth 30 varka bllokuan portin e Sète-s.
Protestat janë shtrirë edhe në departamentin Aude. Porti i Port-la-Nouvelle është i bllokuar që nga mbrëmja e së martës, ndërsa protesta vijoi edhe të enjten.
Edhe në Le Grau-du-Roi, në departamentin Gard, dhjetëra deri në 200 peshkatarë dolën në protestë. Gjatë tubimit u shfaq edhe një banderolë me mbishkrimin „Evropa vret“, duke shprehur pakënaqësinë e protestuesve ndaj politikave evropiane që, sipas tyre, po rëndojnë situatën e sektorit të peshkimit.
/tvklan.al












Botërori 2026 