Ndërtimi vijon të mbetet një nga sektorët kryesorë që po mban ritmin e ekonomisë shqiptare, në një periudhë kur sektorë të tjerë po japin sinjale më të moderuara. Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë për besimin në ekonomi, treguesi i ndjesisë ekonomike mbetet mbi mesataren historike, por me sinjale të ndryshme mes sektorëve.

Kërkesa e lartë për apartamente dhe investimet në pasuri të paluajtshme kanë mbështetur aktivitetin ekonomik, ndërsa ndikim të rëndësishëm po japin edhe blerësit e huaj, veçanërisht në zonat turistike dhe në Tiranë.

“Ndërtimi po vazhdon të mbajë një peshë të rëndësishme në ekonominë shqiptare. Interesi i blerësve të huaj për prona në Shqipëri ka rritur kërkesën në treg dhe ka mbështetur investimet, sidomos në zonat bregdetare dhe në kryeqytet”, thotë eksperti i ekonomisë Igli Tola.

Ndërkohë, bizneset e lidhura me tregtinë dhe shërbimet raportojnë pritshmëri më të kujdesshme, ndërsa konsumatorët po tregohen më të rezervuar në shpenzime. Sipas ekspertëve, ndikim në këtë frenim po japin edhe tensionet në Lindjen e Mesme dhe klima e përgjithshme e pasigurisë globale.

“Kur kemi tensione gjeopolitike dhe pasiguri ndërkombëtare, efekti i parë reflektohet tek konsumi dhe sektori i shërbimeve. Familjet bëhen më të kujdesshme me shpenzimet, ndërsa bizneset ngadalësojnë investimet dhe planet për zgjerim”, shton Tola.

Ekspertët theksojnë se ekonomia shqiptare ka nevojë për një rritje më të balancuar mes sektorëve, në mënyrë që zhvillimi të mos mbështetet kryesisht tek ndërtimi dhe tregu i pasurive të paluajtshme.

Tv Klan

/tvklan.al