Rreth 100,000 persona në Bali janë urdhëruar të evakuohen nga frika e shpërthimit të vullkanit Agung. Për këtë fakt rrezja e zonës së evakuimit u zgjerua në 10 km.

Gjendja e emergjencës është në nivelin maksimal. Aeroporti i ishullit është mbyllur dhe mijëra persona kanë mbetur të bllokuar në këtë pikë turistike.

Autoritetet thonë se tym i zi, hi dhe zjarr janë parë të dalin nga maja e malit 3.400 metra i lartë.  Gjeologët thanë se nuk mund të parashikohet koha kur vullkani mund të shpërthejë, prandaj janë marrë masat për evakuimin e banorëve.

Sipas autoriteteve të aeroportit 445 fluturime janë anuluar, duke prekur 59,000 udhëtarë. Ndërsa shoqata kombëtare e hoteleve në Indonezi ka ofruar një natë falas për turistët e bllokuar.

Edhe pse iu kërkuar evakuimi 100 mijë banorëve vetëm 40 mijë prej tyre i janë bindur urdhrit, duke theksuar se shpërthimi i fundit 50 vjet më parë nuk kishte prekur zonën e tyre.  Shpërthimi i fundit në malin Agung, ka qenë në vitin 1963,  ku mbi 1000 persona humbën jetën.

Klan Plus