Qytetarët rusë po tërheqin gjithnjë e më shumë para nga bankat, mes shqetësimeve për gjendjen e ekonomisë dhe frikës se qeveria mund të ngrijë ose të marrë nën kontroll kursimet private për të financuar luftën në Ukrainë.
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Rusisë, në shtatë muajt e parë të këtij viti rusët kanë tërhequr rreth 2.4 trilionë rubla, ose rreth 24.4 miliardë euro, nga sistemi bankar. Kërkesa për para cash ka nisur të rritet që në fillim të marsit dhe vazhdon të jetë e lartë. Rreth 300 miliardë rubla, ose 3 miliardë euro, po tërhiqen nga llogaritë çdo muaj.
Pesë nga shtatë bankat më të mëdha në Rusi kanë regjistruar rënie të depozitave të individëve. Gazprombank ka humbur rreth 299.5 miliardë rubla, ndërsa Rosselkhozbank rreth 270.5 miliardë rubla.
Edhe klientët e Alfa-Bank kanë tërhequr rreth 179.4 miliardë rubla. Ndërkohë, Sberbank, banka më e madhe në vend, regjistroi një dalje prej 211.6 miliardë rubla vetëm në muajin qershor dhe 31.8 miliardë të tjera në korrik. Një nga përjashtimet është T-Bank, ku depozitat u rritën me rreth 193 miliardë rubla.
Sasia e parave cash në qarkullim u rrit me 643.4 miliardë rubla vetëm gjatë korrikut, rritja më e madhe mujore që nga fillimi i vitit. Në dy javët e para të gushtit, rusët kanë tërhequr edhe rreth 300 miliardë rubla të tjera.
Një nga arsyet kryesore është frika se sulmet me dronë ukrainas ndaj rafinerive të naftës dhe infrastrukturës së transportit mund të përkeqësojnë më tej krizën ekonomike. Por një tjetër shqetësim lidhet me mundësinë që shteti rus të ngrijë ose të konfiskojë një pjesë të kursimeve private për të përballuar kostot në rritje të luftës.
Këto frikëra janë shtuar pas rasteve të fundit kur autoritetet ruse kanë kaluar pasuri private nën kontrollin e shtetit. Sipas Washington Post, vitin e kaluar prokurorët rusë transferuan në kontrollin shtetëror pasuri private me vlerë rreth 51.5 miliardë dollarë. Në qershor, autoritetet sekuestruan gjithashtu pasuri me vlerë rreth 7.6 miliardë dollarë të lidhura me miliarderin Vadim Moshkovich, themeluesin e kompanisë bujqësore Rusagro.
Ndërkohë, kompanitë e mëdha ruse po nxjerrin gjithnjë e më shumë para jashtë sistemit bankar vendas. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore, më shumë se 9.4 miliardë dollarë dolën nga sistemi bankar rus vetëm në tremujorin e dytë të vitit 2026.
Një situatë e ngjashme u vu re edhe në vitin 2022, pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës dhe vendosjes së sanksioneve perëndimore. Në atë kohë, Banka Qendrore rriti përkohësisht normën e interesit në 20% dhe vendosi masa për kontrollin e lëvizjes së kapitalit.
Ndërkohë, ekonomia ruse po shfaq shenja të tjera dobësimi. Sipas të dhënave të publikuara nga Kremlini, ekonomia u rrit me vetëm 0.3% në gjysmën e parë të vitit 2026, nga 1.2% në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Situata ekonomike ka sjellë edhe debate brenda Rusisë. Andrei Klepach, kryeekonomist i korporatës shtetërore VEB, u shkarkua gjatë fundjavës pasi kishte kritikuar publikisht mundësinë e një lufte të gjatë. Në një forum ekonomik në Moskë në maj, Klepach kishte paralajmëruar se Rusia nuk mund ta fitojë një luftë të gjatë konsumimi dhe se kostot për vendin po rriten.
/tvklan.al












Botërori 2026 
