Të ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan në këtë mbrëmje në 29 tetor ishin figura nga parti të ndryshme opozitare.
Moderatori Blendi Fevziu pyeti të ftuarit nëse mund të kemi një bashkim forcash, që do të sillte një front të përbashkët opozitar.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi u shpreh se dera e Partisë Demokratike ka qenë gjithmonë e hapur për bashkëpunim.
Kryetari i partisë Mundësia Agron Shehaj deklaroi se janë pro bashkëpunimit, por duke nisur me protestuesit e studentët, të cilët kanë nevojë për një klasë të re politike.
Nga ana e tij, kreu i partisë Shqipëria Bëhet Adriatik Lapaj theksoi se sot që flasim, bashkimi i forcave opozitare nuk është i mundur, sepse nuk e lejon kodi elektoral. Bëri thirrje për ndryshim të Kodit Zgjedhor.
Gazment Bardhi: Dera e PD ka qenë gjithmonë e hapur. Jemi dakord për një bashkim mes forcave opozitare, patjetër, pavarësisht dallimeve në mendim.
Agron Shehaj: Sigurisht, ajo që thoni ju është e vërtetë. Ka pjesë të protestës që kanë mendime të ndryshme në lidhje me faktin nëse duhet të jenë të gjitha partitë, përfshirë edhe ato tradicionale. Kjo hap një debat. Ne qëndrimin tonë e kemi mbajtur edhe në të kaluarën. Ne kemi rrugëtimin tonë politik, të cilit i besojmë dhe duam t’i qëndrojmë besnikë. Absolutisht, jemi të gatshëm të lëshojmë, por jo mbi parimet.
Shqipëria ka nevojë për një ndryshim rrënjësor. Ka nevojë që klasa e vjetër politike të largohet dhe të largohet Edi Rama. Duhet të shohim nga e ardhmja. Nuk mund të kërkojmë largimin e Berishës. Unë jam kryetar partie dhe nuk mund të kërkoj largimin e kryetarit të një partie tjetër, pasi kjo mund të quhet edhe konflikt interesi.
Unë mendoj se duhet të dëgjojmë kërkesën e qytetarëve. Kjo ishte arsyeja kryesore pse krijuam një parti politike, sepse mendojmë se shqiptarët kanë nevojë për një klasë të re politike, për politikanë që kanë integritet dhe besueshmëri.
Adriatik Lapaj: Mosbashkimi i partive të reja në zgjedhje ka sjellë këtë që po ndodh në Shqipëri sot. Nëse do kishte bashkim të forcave të reja, Rama nuk do të kishte këtë arrogancë, që ka sot, që me kartonë mbron korrupsionin. Jam pro një fronti të madh opozitar kundër sistemit. Sot që ne flasim nuk është e mundur, sepse nuk e lejon ligji elektoral. Por në parim jam dakord. Kodi Zgjedhor që kemi në fuqi nuk lejon as koalicione parazgjedhore.
/tvklan.al












Botërori 2026 