Federata Shqiptare e Futbollit organizoi një aktivitet ku falenderoi Sylvinho dhe stafin e tij që drejtuan Kombëtaren për 3 vite e gjysmë, duke e kualifikuar në Euro 2024 dhe u afruar më shumë se kurrë me Botërorin.

Aty morën pjesë nga stafi i federatës, gazetarë dhe shumë mbështetës të Kuqezinjve. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka tha se stafi teknik ka lënë gjurmë jo vetëm për rezultatet sportive, por edhe për dinjitetin, përkushtimin dhe mënyrën se si përfaqësuan fanellën kuqezi.

“Në këtë histori, keni marrë edhe një pjesë të historisë së Shqipërisë, një pjesë të historisë tonë dhe të Kombëtares tonë, që besoj se është gjëja më e bukur dhe besoj se do t’ju ketë zbukuruar dhe do t’ju mungojë në të ardhmen. Ne jemi sot këtu të gjithë, për t’ju falënderuar për kontributin tuaj në futbollin shqiptar me ekipin Kombëtar, që realisht është simboli i futbollit shqiptar, simboli i të gjithë shqiptarëve”, u shpreh Duka.

Sylvinho u shfaq i lumtur dhe krenar për gjithçka që bëri dhe gjeti në Shqipëri.

“Kur dikush e merr përsipër një punë, e merr përsipër që ta bëjë në 100% të saj. Ka raste që puna shkon mirë, ka raste që nuk shkon mirë. Kështu është futbolli. Unë bëj një profesion shumë të vështirë, shumë prej jush këtu e dini. Tani flasim për 3 vite e gjysmë. Jam absolutisht i lumtur për atë që kemi bërë. Kemi thënë që nga dita e parë që ‘Ne jemi një’”, tha Sylvinho.

Të njëjtin vlerësim treguan edhe ndihmësit e tij Pablo Doriva dhe Zabaleta, duke premtuar se do të kthehen sërish për të takuar ata që ishin pjesë e përvojës së tyre në Shqipëri.

/tvklan.al