Në mbledhjen e radhës, Komiteti Ekzekutiv i FSHF mori një sërë vendimesh për organizimin e kampionateve, për më shumë vëmendje ndaj futbollit të vajzave, si dhe vazhdimin e investimeve infrastrukturore.

Presidenti Armand Duka në një reagim në Facebook, informoi se në ndihmë futbollit shqiptar do t’i vijë teknologjia.

“Një nga vendimet më të rëndësishme të miratuara është vazhdimi për të tetin vit të projektit “Topi yt”, që ndihmon klubet dhe akademitë, duke siguruar bazën materiale të nevojshme për trajnimin dhe zhvillimin e futbollit te të rinjtë. Në funksion të avancimit teknologjik, po zgjerojmë përdorimin e pajisjeve GPS për monitorimin dhe analizën e performancës së lojtarëve. Kjo teknologji do të shtrihet në të gjitha ekipet kombëtare”, tha Armand Duka.

Sa i përket infrastrukturës mjekësore, u garantua blerja e pajisjeve me teknologjitë më të avancuara të repartit të fizioterapisë, që do të shërbejë si një klinikë moderne për të gjithë futbollistët.

Në fushën e investimeve strategjike, Komiteti Ekzekutiv diskutoi për kompanitë që do të projektojnë realizimin e stadiumit “Besa” të Kavajës.

U fol për herë të parë ndërtimi i hotelit të ri të Kombëtares, i planifikuar të ngrihet brenda ambienteve të ‘Shtëpisë së Futbollit’, që do të ofrojë një lehtësim të madh për grumbullimet e ekipeve kombëtare.

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit zhvilloi këtë të enjte mbledhjen e radhës në “Shtëpinë e Futbollit”, ku u diskutuan një sërë çështjesh të rëndësishme për zhvillimin e futbollit shqiptar. Në fokus të takimit ishte projekti ndërtimor i hotelit pranë Shtëpisë së Futbollit, një investim strategjik që synon të përmirësojë infrastrukturën akomoduese për ekipet tona kombëtare si edhe organizimet ndërkombëtare.

Në vijim të projektit “Topi Yt”, që zbatohet prej disa vitesh nga Federata e Futbollit, Komiteti diskutoi edhe për nevojat për furnizimin me topa për sezonin 2025-2026, duke siguruar që klubet dhe ekipet shqiptare të kenë bazën e duhur materiale për zhvillimin e aktiviteteve sportive. Gjithashtu, u shqyrtua edhe ecuria e projektit të stadiumit “Besa”, të Kavajës.

Një tjetër temë e rëndësishme kishte të bënte edhe me ndërhyrjen në sistemin e mirëmbajtjes së fushave sportive, për të garantuar kushte optimale për stërvitje dhe ndeshje. Ndër të tjera u analizua edhe kërkesa për blerjen e materialeve të fizioterapisë dhe integratorëve për ekipet kombëtare, si dhe propozimi për blerjen e pajisjeve GPS, të cilat do të ndihmojnë në monitorimin dhe analizimin e performancës së lojtarëve.

Klan News

/tvklan.al