Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, priti sot në një takim zyrtar Kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, dhe Kryetarin e Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, të shoqëruar nga përfaqësues të pushtetit vendor.

Takimi vjen pas organizimit të turneut të futbollit për fëmijët në Luginën e Preshevës, zhvilluar në korrik nga FSHF, ku morën pjesë mbi 350 fëmijë të grupmoshave 7-13 vjeç. Gjatë vizitës, delegacionet u njohën nga afër me infrastrukturën e “Shtëpisë së Futbollit”, përfshirë qendrën e stërvitjes së ekipit kombëtar, muzeun dhe FSHF TV.

Presidenti Duka shprehu angazhimin e FSHF për të vijuar mbështetjen ndaj fëmijëve të Luginës, duke i përfshirë ata në projektet “Uniforma Ime” dhe “Topi Im”, si dhe për ndërtimin e një fushe futbolli dhe organizimin e një kampionati rajonal.

“Ne kemi shumë dëshirë që të kontribuojmë. E ndjej vërtet si obligim dhe kemi dëshirë, do të bëjmë aq sa ne kemi mundësi.. Do t’i regjistrojmë fëmijët, do t’i bëjmë pjesë të projektit ‘Uniforma ime’, që çdo fëmijë që luan futboll në Luginë sot dhe në të ardhmen do të furnizohet me materiale sportive falas nga Federata e Futbollit, do t’i bëjmë pjesë të projektit ‘Topi im’, është projekt që furnizon çdo skuadër që luan futboll në rajon. Kemi marrë përsipër që të bashkëpunojmë për të ndërtuar një fushë futbolli që t’i shërbejë fëmijëve. Do shohim që ta organizojmë kampionat rajonal në Luginë”, tha Presidenti Duka.

U ra dakord që më 12 nëntor baza materiale me uniforma dhe topa të mbërrijë në Luginën e Preshevës për t’u shpërndarë fëmijëve pjesëmarrës në kampionatet lokale.

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, e cilësoi mbështetjen e FSHF si “historike” për shqiptarët e Luginës.

“Kjo ditë e sotme nuk është dosido, po për ne shqiptarët e Preshevës është historike. Ju falënderoj për angazhimin, kontributin dhe ju përgëzoj për të gjithë këto arritje”, tha ajo.

Edhe kryetari i Bujanocit, Arbër Pajaziti, e përshëndeti bashkëpunimin:

“Komunën e Bujanocit do ta keni një partner serioz dhe të përgjegjshëm në të gjitha këto projekte që ju keni në plan që të realizoni atje. Bujanoci ka tre shkolla të futbollit, një për vajza dhe dy për djem. Një nga klubet është si shkollë futbolli dhe vitin e ardhshëm feston 50 vjetorin e themelimit, FK Tërnovci. Uroj që të sjellim më të mirën edhe për fëmijët tanë atje. Moto jonë është më shumë sport, më shumë shëndet dhe më shumë sukses për Bujanocin”, tha Arbër Pajaziti.