Mungesa e fuqisë punëtore po kthehet në një alarm për ekonominë e vendit. Shoqata e Prodhuesve të Bukës paralajmëron se sektori po përballet me mungesë të theksuar specialistësh, ndërsa zanati i bukëbërësit, i trashëguar ndër breza, rrezikon të zhduket.
“Mungesa e fuqisë punëtore, veçanërisht e specialistëve të bukës, është kthyer në situatë alarmante. Nuk ka më interes nga të rinjtë për këtë profesion dhe zanati po humbet. Kërkojmë trajtimin e bukëbërjes si një zanat në zhdukje dhe mbështetje konkrete për tërheqjen e të rinjve përmes bursave, subvencioneve dhe lehtësive të tjera”, tha Gëzim Peshkëpia – kreu i Shoqatës së Furrave të Bukës.
Aktualisht në vend operojnë mbi 3 mijë furra buke dhe rreth 12 mijë pastiçeri, ndërsa specialistët e kualifikuar paguhen mbi mesataren e tregut. Sipas përfaqësuesve të sektorëve prodhues, edhe përpjekjet për të sjellë punonjës të huaj nuk kanë dhënë rezultat.
Por industria e bukës nuk është e vetmja që po përballet me këtë problematikë, pasi ekspertët thonë se edhe sektorë të tjerë po ndiejnë mungesën e fuqisë punëtore.
“Problemi i mungesës së specialistëve është i njëjtë edhe në sektorin fason. Edhe pse janë bërë përpjekje për të sjellë punonjës të huaj, ata nuk kanë nivelin e nevojshëm të kualifikimit. Aktualisht mungojnë dhjetëra mijëra punonjës (2600) dhe kjo po ndikon drejtpërdrejt në prodhim dhe konkurrueshmëri”, tha Florjan Zekja – përfaqësues i Shoqatës “Pro Eksport Albania”.
Shoqatat kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet, duke përfshirë subvencionimin e profesionit, mbështetje për arsimin profesional dhe politika që nxisin të rinjtë të zgjedhin zanatet. Pa masa konkrete, paralajmërojnë ata, rrezikohet jo vetëm prodhimi, por edhe ruajtja e një tradite të rëndësishme kombëtare.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 