Futbolli italian po përjeton një nga momentet më të errëta të historisë së tij. Pas dështimit të kombëtares së Italisë për tu kualifikuar në Kupën e Botës 2026, tani edhe kompeticionet e UEFA-s konfirmojnë rënien e ndjeshme. Asnjë skuadër nga Serie A nuk ka arritur në gjysmëfinalet e kupave evropiane këtë sezon.

Ky rezultat shihet si një sinjal alarmi për gjithë lëvizjen futbollistike në Itali, por ajo që e bën situatën edhe më shqetësuese është fakti që kanë kaluar plot 39 vite që nga hera e fundit kur gjysmëfinalet e kompeticioneve evropiane u zhvilluan pa asnjë përfaqësues italian.

Një precedent i tillë daton që nga sezoni i largët 1986–1987. Edhe pse formati i garave ka ndryshuar ndër vite dhe sot rruga drejt fazave të avancuara konsiderohet më e përballueshme, dështimi i ekipeve italiane për të qenë mes katër më të mirëve mbetet një goditje e rëndë.

Dikur dominues në Evropë dhe me disa nga lojtarët më të mirë në botë, futbolli italian sot duket larg lavdisë së dikurshme. Mungesa e rezultateve ngre pikëpyetje të forta mbi menaxhimin, zhvillimin e talenteve dhe konkurrueshmërinë e klubeve italiane në skenën ndërkombëtare. Një gjë është e qartë, diçka nuk po funksionon, dhe ndryshimi duket më i domosdoshëm se kurrë.

Klan News

/tvklan.al