Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të “Koalicionit të Vullnetmirëve”, të zhvilluar në Berlin me ftesë të kancelarit gjerman Friedrich Merz.
Në një prononcim për mediat para nisjes së takimit, Rama e cilësoi të rëndësishëm rikthimin e përpjekjeve të Europës për të pasur një grup përfaqësues që të flasë në emër të saj në një komunikim të mundshëm me Rusinë.
Sipas kryeministrit, mungesa e një përfaqësimi të përbashkët europian në këtë proces ka qenë një gabim strategjik, ndërsa vendimi për krijimin e këtij grupi përbën një hap të nevojshëm në përpjekjet diplomatike për të vijuar dialogun me Moskën.
“Pikë së pari më lejoni të them se është një mundësi i mirë, për t’u mbledhur këtu në këtë Koalicion, pas asaj që po ndodh. Dhe veçanërisht edhe pas asaj që u vendos në Dublin, për të pasur më në fund një grup përfaqësues që të flasë në emër të gjithë Europës në një komunikim të mundshëm me Rusinë. Ndërkohë, përsëri, e thash edhe në deklaratën hyrëse se ishte diçka që duhej të ndodhte dhe që më në fund ndodhi, që Europa vendosi të ketë një grup në frontin e parë, i cili do të përfaqësojë Europën në një komunikim të mundshëm me Rusinë, sepse ka qenë një gabim strategjik që nuk e kemi bërë këtë që në fillim. Ose, le të themi, në fillim pati disa komunikime dhe më pas gjithçka u ndërpre dhe tani kjo ka rifilluar, me shpresë, dhe le të shohim se çfarë do të ndodhë”, u shpreh kështu, kryeministri Rama.
Pjesëmarrja e kryeministrit shqiptar në këtë tryezë vjen në kuadër të bashkëpunimit me partnerët europianë dhe aleatët strategjikë për çështjet e sigurisë dhe paqes.
“Koalicioni i Vullnetmirëve” është një nismë bashkëpunimi mes vendeve që angazhohen për të koordinuar qëndrimet dhe mbështetjen e tyre në çështjet që lidhen me sigurinë europiane, veçanërisht në kontekstin e luftës në Ukrainë.
Ftesa e kancelarit Merz dhe pjesëmarrja e Ramës në këtë takim vendosin Shqipërinë mes vendeve të përfshira në diskutimet e nivelit të lartë për të ardhmen e sigurisë në kontinent.
Sipas njoftimit të Agjencisë për Media dhe Informim, prania e kryeministrit në këtë tryezë synon të riafirmojë angazhimin e Shqipërisë në krah të aleatëve dhe partnerëve të saj.
Takimi në Berlin zhvillohet në një moment kur siguria europiane mbetet në qendër të diskutimeve mes vendeve perëndimore, ndërsa koordinimi politik dhe bashkëpunimi mes aleatëve konsiderohen pjesë e rëndësishme e përpjekjeve për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Europë.
/tvklan.al












Botërori 2026 
