Presidenti Emmanuel Macron nuk ka pranuar dorëheqjen e kryeministrit Gabriel Attal. Ai do të qëndrojë në këtë post derisa forca e parë politike, e cila doli në zgjedhjet parlamentare të vendit, të vendosë se kë dëshiron të emërojë.

Në një deklaratë për shtyp, sqarohet se Attal do të jetë kryeministër me qëllim që të sigurohet stabiliteti politik i vendit, i cili është në fijë të perit për shkak se  nacionalistët, të majtët e Frontit të Ri Popullor dhe partia e Macronit nuk po gjejnë gjuhën e përbashkët për krijimin e  qeverisë së re.

Sipas mediave të huaja me refuzimin e dorëheqjes së Attal, Macron ka dashur të shmangë paqëndrueshmërinë në vend. Ministri i tij i financave, Bruno Le Maire, ka paralajmëruar se rreziku më i menjëhershëm me të cilin përballet Franca është “kriza financiare dhe rënia ekonomike” për shkak të ngërçit politik të Francës.

Kreu i të majtëve, Zhon Lyk Melonshon, koalicioni i të cilit u rendit i pari në raundin e dytë të zgjedhjeve, falë edhe bashkëpunimit me partinë e Makronit që u rendit e dyta, kërkon që presidenti t’i japë atij mandatin për formimin e qeverisë.

Megjithatë, ai nuk i arrin dot 289 votat e nevojshme për formimin e qeverisë së re pa mbështetjen e Macronit, të cilin gjithsesi e ka kundërshtar të betuar politik.

Klan News