Pas testit të zhvilluar më 24 dhe 25 korrik, është përmbyllur sot faza e intervistave në procesin e përzgjedhjes së Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).

Intervistat nisën në orën 09:00 në ambientet e SPAK, me një kohëzgjatje prej 45 minutash për secilin kandidat. Nën monitorimin e përfaqësuesve ndërkombëtarë, komisioni vlerësoi njohuritë profesionale, aftësitë drejtuese dhe vizionin që kandidatët kanë për përballimin e sfidave në këtë funksion të lartë.

Në përfundim të kësaj faze, Komisioni i Përzgjedhjes vendosi që të shtatë kandidatët të kalojnë në fazën tjetër, që përfshin verifikimin e figurës dhe deklarimin e pasurisë.

SPAK, në njoftimin zyrtar, rikonfirmon angazhimin për një proces transparent, të drejtë dhe profesional, me standarde të larta ligjore dhe integritet të plotë institucional.

Kujtojmë se kandidatët në garë për këtë institucion, i njohur ndryshe si “FBI-ja shqiptare”, janë: Andi Pogaçe, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj, Gledis Nano dhe Joni Keta.

Aktualisht, Byroja Kombëtare e Hetimit drejtohet nga Aida Hajnaj, e cila e përfundon mandatin më 31 gusht. Ajo nuk arriti të dorëzonte dokumentacionin brenda afatit të aplikimit./tvklan.al

/tvklan.al