Lideri i grupit militant Hamas, Ismail Haniyeh është vrarë në Teheran gjatë një bastisje izraelite duke shkaktuar frikën e përshkallëzimit më të gjerë në një rajon.

Garda Revolucionare e Iranit konfirmoi vdekjen e Haniyeh, disa orë pasi ai mori pjesë në ceremoninë e betimit për presidentin e ri të vendit. Ai takoi presidentin e ri, si dhe liderin suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei.

Raportet thonë se gjatë takimit, presidenti i tha udhëheqësit të Hamasit se Irani do të qëndronte pranë popullit palestinez. Nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm nga Izraeli, por ushtria izraelite bëri të ditur se është duke kryer një vlerësim të situatës.

“Kjo vrasje i Haniyeh është një përshkallëzim i rëndë që synon të thyejë vullnetin e Hamasit”, tha zyrtari i lartë i Hamasit Sami Abu Zuhri.  

Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas e ka quajtur vrasjen e Haniyeh “një akt frikacak dhe një zhvillim të rrezikshëm”.Ai gjithashtu u bëri thirrje palestinezëve të bashkohen, dhe të jenë të palëkundur përballë pushtimit izraelit. Gjithashtu edhe Turqia e ka konsideruar një akt frikacak vrasjen e liderit të Hamasit.

Haniyeh ka qenë figura kryesore qe ka marrë pjesë në negociatat për armëpushim të mbajtura në Katar. Prokuroria e Gjykatës Ndërkombëtare Penale kërkoi një urdhër-arresti për të për krime të dyshuara lufte në të njëjtën kohë që lëshoi ​​një kërkesë të ngjashme kundër kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu. Liderit të Hamasit, pak muaj më parë ju vranë 3 djemtë dhe familjet e tyre gjatë luftimeve në Gaza.

Vdekja e Haniyeh ndodh pak orë pasi Izraeli pretendoi se vrau komandantin e lartë ushtarak të Hezbollahut, një grup me bazë në Liban, i mbështetur gjithashtu nga Irani. Izraeli në një deklaratë bëri të ditur se gjatë sulmit ajror në periferinë e Bejrutit vrau Fuad Shukur si hakmarrje pas sulmit me raketa në Lartësitë e Golanit ku mbetën të vrarë 12 fëmijë.

Fuad Shukri besohej se ishte këshilltari ushtarak i udhëheqësit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah dhe ka qenë prej kohësh aktiv në këtë organizatë të konsideruar terroriste nga Shtetet e Bashkuara. Pak orë më pas, Shtetet e Bashkuara bënë një sulm vetëmbrojtës në Irak dhe se sulmi kishte në shënjestër militantët që SHBA mendonte se po kërkonin të lëshonin drone dhe përbënin një kërcënim për forcat e SHBA-së.

Sulmi izraelit u dënua menjëherë nga Irani, që e quajti atë agresion të një niveli të ulët nga Izraeli, ndërsa grupi militant palestinez Hamas e cilësoi atë një përshkallëzim të rrezikshëm. Sulmi u dënua edhe nga Rusia si shkelje flagrante e së drejtës ndërkombëtare.

Klan News