Pas dështimit të tretë radhazi për t’u kualifikuar në Botëror, përfaqësuesja e Italisë po shqyrton ndryshime të rëndësishme në stafin teknik.

Trajneri aktual, Gennaro Gattuso, pritet të largohet nga detyra pasi nuk arriti objektivin kryesor të kontratës së tij.

Federata Italiane e Futbollit ka nisur vlerësimin e kandidatëve të mundshëm, ku spikasin emrat e Roberto Mancinit dhe Antonio Contes. Mancini shihet si një opsion për rikthim pas mbylljes së përvojës së tij në Katar, ndërsa Conte vlerësohet për shkak të pasigurisë mbi të ardhmen e tij te Napoli.

Gjithashtu, në listën e preferencave mbetet Silvio Baldini, i cili po drejton aktualisht ekipin kombëtar të moshave U-21. Një tjetër emër i lakuar është Fabio Cannavaro, megjithëse ai është i angazhuar me Uzbekistanin në Botëror.  

Drejtuesit e lartë të futbollit italian synojnë të zyrtarizojnë emrin e ri përpara nisjes së fazës tjetër përgatitore në fund të sezonit.

/tvklan.al