Qindra palestinezë të zhvendosur kanë protestuar në Rripin e Gazës kundër sulmeve ajrore izraelite dhe shkatërrimit të vazhdueshëm të banesave, pavarësisht armëpushimit të arritur në tetor 2025.
Protesta u zhvillua të shtunën në zonën pranë të ashtuquajturës “Vija e Verdhë”, e cila ndan territoret nën kontrollin e ushtrisë izraelite nga ato ku vepron Hamasi. Sipas kryetarit të bashkisë së Maghazit, Mohammed Musleh, më shumë se 500 njësi banimi janë shkatërruar brenda më pak se një muaji. Ai e cilësoi këtë si pjesë të një politike sistematike që synon zhvendosjen graduale të banorëve dhe shkatërrimin e sa më shumë banesave.
Sipas Ministrisë së Punëve Publike dhe Strehimit në Gaza, rreth 350 mijë familje kanë mbetur pa strehë, pasi sulmet izraelite kanë shkatërruar 80 për qind të banesave në enklavë. Situata është përkeqësuar edhe nga përmbytjet e javëve të fundit, të cilat kanë dëmtuar rëndë tendat ku strehohen familjet e zhvendosura.
Ndërkohë, pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit, kontrolli izraelit mbi territorin është zgjeruar. Nëse në tetor 2025 Vija e Verdhë shtrihej më në lindje, aktualisht afro dy të tretat e Gazës janë nën kontrollin e ushtrisë izraelite ose u nënshtrohen kufizimeve të lëvizjes.
Bilanci i viktimave vijon të rritet. Të paktën katër palestinezë u vranë të shtunën nga sulmet izraelite, mes tyre tre persona që humbën jetën pasi një dron goditi një automjet që transportonte ndihma ushqimore për banorët e zhvendosur në qytetin e Gazës.
Vetëm gjatë 48 orëve të fundit janë vrarë të paktën nëntë persona, ndërsa që prej armëpushimit të tetorit 2025 numri i viktimave ka arritur në 1,661. Ministria e Shëndetësisë raportoi gjithashtu 55 të plagosur në dy ditët e fundit, duke e çuar në 6,062 numrin e përgjithshëm të të plagosurve gjatë kësaj periudhe.
Ndërkohë, ekipet e Mbrojtjes Civile kanë nxjerrë trupat dhe mbetjet mortore të 129 personave nga 39 banesa dhe ndërtesa të shkatërruara në kampin e refugjatëve Nuseirat, az-Zauayda dhe Deir el-Balah.
Drejtori i Mbrojtjes Civile në Gazën qendrore bëri të ditur se 233 persona të tjerë rezultojnë ende të zhdukur nën rrënoja. Operacioni 53-ditor ishte pjesë e një projekti për rikuperimin e trupave, ndërsa autoritetet vlerësojnë se rreth 8 mijë persona ndodhen ende nën rrënoja në të gjithë Rripin e Gazës. Sipas tyre, me pajisjet aktuale, procesi i nxjerrjes së trupave mund të zgjasë nga tetë deri në dhjetë vjet.
/tvklan.al












Botërori 2026 
