Policisë iu deshën orë për të mbledhur gëzhojat. Vrasësit e Planajt dyshohen me pagesë

Në Shkodër bie heshtja kur një person ekzekutohet, e kjo duket se ndodhi edhe mbrëmjen e së dielës, kur persona ende të paidentifikuar zbrazën breshëri plumbash në drejtim të Bardhok Planajt, duke e lënë atë të vdekur. Gazetarja e Tv Klan në këtë qytet, Emi Kalaja, tregoi në një lidhje direkte me “Opinion” situatën në këtë qytet pas ngjarjes së rëndë.

“Duhet thënë që ngjarja është e rëndë për dy faktorë. Së pari personi i cili është ekzekutuar, i cili është një person me influencë në Shkodër, e së dyti mënyra kriminale e kryerjes së këtij ekzekutimi të mirëorganizuar. Kujtojmë që ishte natë Pashkës, ishte e diel, ishte në orarin e kufizimit të lëvizjes… Sapo është mësuar emri i personit të ekzekutuar në Shkodër ka rënë heshtja. Ne në Shkodër nuk heshtim kur ka të ekzekutuar, por heshtim sepse mendojmë kush do të jetë tjetri. Sepse siç dihet, në Shkodër ka një telenovelë, kur vritet një person me influencë, pason me një zinxhirë vrasjes. Kjo është ajo që i frikëson shkodranët, në fakt situata ka qenë e zymtë, ka shumë pikëpyetje”.

Kalaja tha se dyshimet e autoriteteve në Shkodër janë se ekzekutorët janë vrasës me pagesë. Kjo tha gazetarja mbështetet në disa detaje, duke nisur që tek gëzhojat e shumta të gjetura në vendngjarje, për mbledhjen e të cilave sipas saj, policisë iu deshën orë të tëra. Por jo vetëm kaq. Autorët e ndoqën dhe u siguruan që e kishin vrarë 46-vjeçarin, në atë që duket se ishte një atentat i mirëorganizuar.

“Duke qenë se pikërisht Planaj, nuk dihej nëse kishte konflikte, të paktën nuk ka patur një konflikt që ka qenë i njohur në qytet, ndaj edhe mbeten enigmë atentatorët, ekzekutuesit, të cilët deri më tani, pista është që mund të kenë qenë vrasës me pagesë. Prokuroria e Shkodrës mendon dhe nuk janë low cost, janë në një çmim mendohet shumë të lartë. Iu është dashur shumë orë policisë së Shkodrës për të mbledhur gëzhojat. Mjafton të bëhet kjo skemë dhe kuptohet sesa e mirëmenduar dhe e mirëorganizuar ka qenë ngjarja. Është ndjekur në momentin që ka dalë nga banesa. Ne kemi qenë në vendin e ngjarjes dhe kemi parë gëzhojat përgjatë gjithë rrugës. Është qëlluar paralelisht, më pas ai ka humbur kontrollin e automjetit dhe është përplasur në një shtyllë të ndriçimit dhe më pas në momentin që shihet në video, makina është rrokullisur dhe ka dalë frontale. Sërish autorët e kanë ndjekur dhe e kanë qëlluar, kanë vijuar ta qëllojnë për t’u siguruar që e kishin eliminuar. Kjo është një formë që kryesisht ndjekin vrasësit me pagesë, që duhet medoemos që porosia të kryhet. Më pas në një distancë rreth 250 metër është gjetur automjeti Volkswagen passat me targa italiane me dy armët kallashnikov brenda. Duket sikur çdo gjë ka qenë e përgatitur. Nuk është hera e parë që ne i shohim ngjarje të tilla, megjithatë, është një ndër vrasjet më të rënda që kanë ndodhur në qytetin e Shkodrës”./tvklan.al