Lumi Shkumbin kërcënon me daljen nga shtrati për shkak të gërryerjes së tokave bujqësore duke u afruar pranë zonave të banuara.

Më i rrezikuar është fshati Çermë e Sipërme i Bashkisë Divjakë. Banorët që kanë ndërtuar pranë shtratit të lumit ndihen të kërcënuar dhe kërkojnë që të merren masa përforcuese.

“Të merren masa se rrezikojmë shtëpitë… të bëhet armaturë. Qeveria ka marrë masa, por lumi Shkumbin, posa kalon urën e Rrogozhinës, është rrezik për banesat”, thotë një banor.

“Banesat janë vetëm 50 metra larg lumit. Kjo është pikë rreziku, pasi lumi është afruar shumë me banesat këtu”, shton një tjetër.

“Lumi nga viti në vit afrohet. Ne kemi hallin e shtëpive”, vijon një tjetër.

“Nëse nuk bëhet pritë, do të shkojë deri atje”, thotë një tjetër banor.

Sipas banorëve, nga viti 2009 lumi Shkumbin ka gërryer afro 20 metra tokë bujqësore. Fenomeni i gërryerjes është përshpejtuar këtë janar për shkak të prurjeve të shumta.

“Lumi është spostuar më afër banesave”, thotë një banor.

“Ka gërryer 20 metra lumi”, shton një tjetër.

Fshati Çermë e Sipërme ka mbi 4 mijë banorë dhe gjysma e banesave shtrihen përgjatë rrjedhës së lumit Shkumbin.

Tv Klan

/tvklan.al