Një natë emocionesh të forta, mes festës dhe tensioneve. Në Francë, fitorja e Gjelave ndaj Marokut solli një shpërthim gëzimi në rrugë dhe sheshe. Nga Parisi në Marsejë, nga Lila në qytete të tjera të vendit, mijëra tifozë dolën për të festuar kualifikimin e Francës në gjysmëfinalen e tretë radhazi të një Botërori nën drejtimin e Didier Deschamps.

Në kryeqytet, skenat më të forta të festës u regjistruan në Champs-Élysées, Châtelet dhe Grands Boulevards. Flamuj francezë, makina me sirena, fishekzjarre dhe kore tifozësh pushtuan rrugët. Autoritetet franceze kishin marrë masa të jashtëzakonshme sigurie për të parandaluar incidente. Ministria e Brendshme kishte angazhuar një numër të madh efektivësh, duke pasur parasysh edhe tensionin emocional të kësaj sfide.

Për shumë tifozë marokenë, kjo ndeshje shihej si një përballje simbolike pas humbjes së Marokut në gjysmëfinalen e Botërorit të vitit 2022 në Katar. Frika ishte për përplasje mes grupeve të ndryshme, përfshirë edhe elementë ekstremistë, por në Francë nata kaloi kryesisht në atmosferë festive. Policia ndërhyri më shumë për menaxhimin e turmave dhe hapjen e korridoreve për qarkullimin e automjeteve.

Presidenti Emmanuel Macron përgëzoi lojtarët francezë për suksesin dhe u shpreh me respekt edhe për përfaqësuesen marokene, e cila u bë skuadra e parë afrikane që arriti deri në çerekfinale të një Botërori.

Por festa nuk pati të njëjtin fund kudo. Në Londër, pas përfundimit të ndeshjes, disa grumbullime tifozësh në zonën Edgware Road degjeneruan në përplasje me policinë. Një efektiv mbeti i plagosur në kokë, pasi u godit nga një shishe qelqi, ndërsa të paktën katër persona u arrestuan për trazira të dhunshme.

Sipas policisë britanike, situata nisi nga bllokimi i rrugës dhe më pas u përshkallëzua me hedhje shishesh dhe fishekzjarresh. Pas tensioneve të lëna pas, Franca tashmë përgatitet për sfidën e radhës, me tifozët që ëndërrojnë një tjetër natë feste drejt mbrojtjes së titullit botëror.

Klan News

/tvklan.al