Edhe pas 5 ditëve nga tërmetet shkatërrimtarë në Venezuelë, nga rrënojat vijojnë të nxirren të mbijetuar. Banorët ankohen se reagimi i qeverisë është tepër i ngadaltë.
Çdo rast i gjetjes së të mbijetuarve nën rrënojat e tërmeteve në Venezuelë po konsiderohet një mrekulli e vërtetë, teksa kanë kaluar plot pesë ditë nga lëkundjet shkatërrimtare. Një prej tyre ishte edhe shpëtimi i një 12-vjeçari, i cili u nxor i gjallë nga ekipet e emergjencës në La Guaira.
Dëshpërimi po kthehet në revoltë. Gjithnjë e më shumë banorë po ankohen dhe po akuzojnë qeverinë për vonesa të tmerrshme dhe neglizhencë në dhënien e ndihmës.
“Im bir, ashtu si qindra të tjerë, është nën rrënoja. Na duhet mbështetje urgjente. Është e tmerrshme të mendosh se ai mund të mos jetë vrarë nga tërmeti, por mund të vdesë nga neglizhenca e autoriteteve”, thotë një banor.
“Operacioni i shpëtimit nisi shumë vonë dhe ka qenë tejet i ngadaltë. Në fillim na ndihmuan vetëm njerëzit e komunitetit. Policia thjesht erdhi, pa dhe s’bëri asgjë. Ndihma e qeverisë është e pafuqishme”, shton një tjetër.
Operacionet e kërkim-shpëtimit pritet të vështirësohen akoma më shumë gjatë javës për shkak të shirave të rrëmbyeshëm që do të sjellin stuhitë tropikale, ndërsa situata mbetet kritike për shkak të pasgoditjeve të vazhdueshme. Deri më tani, bilanci zyrtar ka arritur në mbi 1,700 të vdekur dhe 5,000 të plagosur. Me mijëra të tjerë mbeten ende të pagjetur nën rrënoja.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 