Ministri i Brendshëm: Nuk janë thyer linjat sekrete

Berlini sqaroi zyrtarisht këtë të Martë, skandalin e përgjimit nga Rusia të një konference telefonike sekrete mes 4 ushtarakëve të lartë të forcave ajrore të Gjermanisë javën e kaluar që diskutonin mbi mundësitë që Ukraina të përdorte raketat e fuqishme gjermane Taurus, për të goditur urën që lidh Krimenë me Rusinë.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius u përpoq të qetësonte aleatët, si Franca dhe Britania e Madhe që shprehën shqetësimin se mes vendeve të NATO-s, informacionet sekrete diskutohen me mënyra jo të sigurta, duke rrezikuar të sjellin dështime me kosto të pariparueshme.

“Kjo bisedë u përgjua pasi një prej pjesëmarrësve që ndodhej në një hotel në Singapor, bëri një gabim. Përdori një linjë komunikimi të paautorizuar, pra e hapur ndaj përgjimeve”, tha ai.

Më herët, Moska e quajti këtë ngjarje, një dëshmi të qartë se në Ukrainë, Rusia po lufton me perëndimin që planifikon me duart e ushtrisë ukrainase, sulme kundër infrastrukturës ruse.

Tv Klan