Në rrugët e kalldrëmta të Gjirokastrës ka dhimbje për humbjen e Ismail Kadarese. Të gjithë janë të tronditur, jo vetëm banorë të qytetit të gurtë, por edhe turistët që ndodhen në qytet.

Ata që kalojnë në pazarin karakteristik ndalen për pak minuta dhe lënë një shkrim homazh në librin e përshtypjeve në këndin që është ngritur.

“Ishte një shkrimtar i madh i Shqipërisë. Me veprën e tij ai u përpoq që në shenjë revolte të ngrente zërin kundër komunizmit në vendin tuaj. Më vjen shumë keq sot.”

“E di që është shkrimtari më i njohur shqiptar. Ka shumë vepra dhe unë e vlerësoj si një hero për Shqipërinë, por edhe për botën. Jam e trishtuar për humbjen e një shkrimtari brilant.”

“Ishte një shkrimtar shumë i mirë, brilant. Një figurë, madje jo vetëm për Shqipërinë , prandaj jam e trishtuar sot.”

Një vlerësim për figurën e Kadaresë e jep edhe kryetari i bashkisë së qytetit, Flamur Golemi.

Flamur Golemi, kryetar i bashkisë Gjirokastër: Ra ky mort dhe ne gjirokastritët përulemi me mirënjohje përpara birit të këtij qyteti që bëri kaq shumë për këtë qytet. Iku Ismaili, por mbeti Kadareja. Ngeli në rrugët, sokakët, shtëpinë muze.

Qytetarë e turistë lënë ngushëllime dhe kujtime edhe në shtëpinë ku ai u lind dhe u rrit që tashmë është kthyer në muze.

Bruno Pjetri, ciceron: Ata vizitorë që erdhën dje në muze dhe morrën vesh këtë lajm u shfaqën të tronditur sepse në njëfarë mënyre nuk e prisnin që ditën që vendosën të shohin shtëpinë e gjeniut të letrave të merrnin vesh këtë lajm, por edhe për ne si staf, si njerëz që punojmë pranë këtij muzeu që jemi lidhur me veprat e Ismail Kadaresë ishte një moment i vështirë dhe ka për të qenë sepse ne tashmë do të flasim në kohën e shkuar, jo më në të tashmen.  

Në nder të figurës së gjeniut të letërsisë shqipe, në qytetin e tij të lindjes pritet të ngrihet për të edhe një monument.

Klan News