Gjykata Kushtetuese e Kosovës u kërkon deputetëve që ta konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditësh. Në vendimin më të fundit të shpallur nga kjo gjykatë, kërkohet që deputetët, brenda këtij afati, të zgjedhin kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit.

“Seanca e konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e filluar më 15 prill 2025, nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së Kryetarit dhe Nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Gjykata, duke iu rikthyer përcaktimeve në paragrafin 1 të nenit 66 të Kushtetutës, thekson se vetë struktura e kësaj dispozite kushtetuese nënkupton se mbajtja e seancës konstituive brenda afatit 30-ditor nuk është mundësi formale apo orientuese, por detyrim kushtetues që lidhet ngushtë me fillimin e mandatit të legjislaturës së re.”

Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, partia që bëri ankesën, shprehet se Kushtetuesja me këtë vendim e zgjidh ngërçin e krijuar.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, në reagimin e tij tha se Gjykata Kushtetuese dha qartësi dhe i dha fund lojës së Vetëvendosjes.

“Na vjen mirë që Gjykata Kushtetuese i dha fund kësaj loje të qëllimshme vonesash nga koalicioni VV-Guxo-Alternativa, duke e bërë të qartë se ata nuk kanë të drejtë ta bllokojnë procesin dhe se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve. Ky aktgjykim duhet të zbatohet menjëherë. Sa më shpejt, aq më mirë për vendin.”

Por Gjykata Kushtetuese nuk ka vendosur për ligjshmërinë e refuzimit të votimit të fshehtë, duke e lënë këtë vendim pezull. Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje shprehet se ky votim lejohet.


“Votimi i fshehtë nuk e shkel Kushtetutën, pra lejohet. Të gjitha partitë duhet të angazhohen për të konstituuar Kuvendin, sidomos ato që propozojnë anëtarë në kryesi të Kuvendit. Të gjithë deputetët e kanë për obligim të marrin pjesë në votim. Këto i kemi thënë që nga dita e parë. Këto i paska thënë edhe Gjykata Kushtetuese. S’ka nevojë as 30 ditë të pritet. Që nesër mund të procedohet me votim të fshehtë dhe kryhet kjo punë.”

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka vlerësim tjetër, duke theksuar se Gjykata e ka cilësuar “jokushtetues” themelimin e Komisionit për Votim të Fshehtë në seancën konstitutive.

Që prej 15 prillit nuk është arritur konstituimi i Parlamentit të Kosovës. Deri më tani janë zhvilluar 37 seanca, por kërkesa e Vetëvendosjes për votim të fshehtë dhe zgjedhjen e Albulena Haxhiut si kryeparlamentare janë refuzuar nga partitë e tjera, duke sjellë dështim dhe futur vendin në një krizë politike.

Tv Klan

/tvklan.al