Gjykata Kushtetuese zbardhi këtë të martë vendimin mbi përplasjen institucionale mes Këshillit të Ministrave dhe Gjykatës së Posaçme për ndarjen e kompetencave. Kërkesa e Kryeministrit, i cili argumentonte se GJKKO kishte cënuar ndarjen e pushteteve duke pezulluar ministren Belinda Balluku pa lejen e Kuvendit, nuk gjeti shumicën e nevojshme për t’u pranuar.
Trupa e tetë gjyqtarëve u nda në dy qëndrime diametralisht të kundërta. Katër prej tyre, kryetarja Fjona Papajorgji dhe anëtarët Sonila Bejtja, Sandër Beci dhe Marjana Semini, mbështetën logjikën e qeverisë se pezullimi i një anëtari të kabinetit kërkon ndërmjetësimin e Parlamentit.
“Për të garantuar balancimin ndërmjet interesit kushtetues për ushtrimin efektiv të ndjekjes penale dhe funksionimit të rregullt të pushtetit ekzekutiv, edhe masa kufizuese e pezullimit do të duhet të kushtëzohet me autorizimin paraprak të Kuvendit, si mekanizëm kontrolli dhe ekuilibrimi institucional”.
Por ky qëndrim nuk u mbështet nga 4 gjyqtarët e tjerë, Marsida Xhaferllari, Genti Ibrahimi, Asim Vokshi dhe Ilir Toska. Sipas tyre, imuniteti kushtetues nuk ofron mbrojtje nga masa e pezullimit të detyrës, dhe kjo masë i drejtohet individit, jo institucionit. Ata theksuan se zgjerimi i imunitetit përtej rasteve të parashikuara shprehimisht në Kushtetutë cenon barazinë para ligjit.
“Masa e pezullimit nga ushtrimi i detyrës publike ndaj një ministri nuk mund të kërkojë autorizim paraprak të Kuvendit dhe nuk përfshihet në garancitë e imunitetit. b) Normat për imunitetin interpretohen ngushtë dhe nuk lejojnë zgjerim ose krijim të normave të reja nëpërmjet interpretimit”.
Ndërkohë, dy prej gjyqtarëve që votuan kundër Kryeministrit, Marsida Xhaferllari dhe Asim Vokshi, shkuan edhe më tej në një mendim paralel, duke thënë se kjo çështje ishte e pabazuar dhe nuk duhej të kishte kaluar për gjykim, pasi nuk ekzistonte asnjë konflikt kompetencash mes pushteteve.
Për shkak të këtij barazimi votash, 4 me 4, Gjykata nuk arriti shumicën e kërkuar nga ligji për të pranuar pretendimet e ekzekutivit. Rrjedhimisht, kërkesa u rrëzua dhe Gjykata hoqi masën e pezullimit që kishte vendosur vetë në dhjetor për të ngrirë vendimet e GJKKO-së.
Ndarja 4 me 4 e Gjykatës Kushtetuese vuri në lëvizje mazhorancën socialiste për të ndërhyrë në legjislacion, e cila propozoi të ndërhyjë në nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale. Projektligji i depozituar nga Partia Socialiste në mes të shkurtit synon të zgjerojë rrethin e zyrtarëve të lartë shtetërorë, veç deputetëve dhe kryebashkiakëve, që përfitojnë nga përjashtimi i pezullimit, siç janë Presidenti, Kryeministri, Zëvendëskryeministri, Ministrat, Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Avokati i Popullit.
Sipas argumenteve të përfaqësuesve të mazhorancës, ky amendim bëhet për të sqaruar kufijtë mes pushteteve dhe për të mbrojtur institucionet kushtetuese, me logjikën që pezullimi i këtyre figurave nga një gjykatë sjell paralizimin e punës së vetë institucionit dhe cenon pushtetin ekzekutiv. Ndërkohë që zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë u largua të enjten, më 26 shkurt, nga detyra, si pjesë e reformimit të qeverisë nga kryeministri Rama.
Propozimi i PS – zyrtarët që nuk mund të pezullohen
- Presidenti i Republikës
- Kryeministri
- Zëvendëskryeministri dhe Ministrat
- Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese
- Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit
- Avokati i Popullit
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 