I ndalohet komunikimi, avokatët: Precedentë shqetësues, do ta ankimojmë

“Në orën 12:30 të datës 30 Dhjetor 2023, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka vendosur të ashpërsojë masën e sigurimit personal për Sali Berishën. Gjyqtarja Irena Gjoka ka pranuar kërkesën e SPAK dhe vendosi masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi” me mbikëqyrje policore dhe ndalim të komunikimit me persona të tjerë”.

Vendimi u shpall pas 4 seancash të shtyra dhe shumë debatesh mes palëve, për çështje të karakterit procedurale. Avokatët e Berishën kërkonin nga gjykata rrëzimin e kërkesës së SPAK për ashpërsim të masës së sigurimit. 

“Mbikëqyrja e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, si dhe urdhërimeve të përcaktuara në këtë vendim të kontrollohet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe shërbimet e policisë gjyqësore, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit”.

Pas leximit të vendimit në seancë, SPAK firmosi urdhrin, i cili u ekzekutua nga strukturat e Policisë së Shtetit. Nga data 30 Dhjetor Sali Berisha nuk mund të dalë jashtë banesës së tij apo të komunikojë me persona të tjerë. Avokatët mbrojtës e panë me shqetësim bllokimin e komunikimit të Berishës dhe thanë se kjo është masë e padrejtë dhe se do të ndjekin të gjitha shkallët e gjyqësorit.

Ashpërsimi i masës nga SPAK erdhi pasi më herët, ish-kryeministri nuk zbatoi vendimin e gjykatës, për t’u paraqitur të Hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji në orën 10:00 për të firmosur para agjentëve të BKH-së. Berisha pretendoi se kërkesa e SPAK ishte bërë në kundërshtim me Kushtetutën pasi kërkesa nuk ishte aprovuar nga Parlamentit për t’i hequr atij imunitetin.

Në datën 18 dhjetor Këshilli i Mandateve, i dha SPAK autorizimin dhe në 21 dhjetor parlamenti e votoi me 75 vota. Një ditë më pas SPAK kërkoi në gjykatë ashpërsimin e masës së sigurimit për Sali Berishën. Kërkesa e tyre u miratua pas disa seancash të shtyra për shkak të kërkesave të avokatëve për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka. Dy prej të cilave janë rrëzuar nga një gjyqtare tjerë. 

Ish-kryeministri Berisha akuzohet si i dyshuar për korrupsion në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit Partizani. Nën hetim për këtë dosje është dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, i cili ndodhet në masë sigurie arrest shtëpie.

Klan News