Me urdhër të SPAK, i janë konfiskuar pronat Alket Hatisë dhe të afërmve të tij. Bëhet fjalë për apartamente, sipërfaqe toke, garazh në lagjen e plazhit në Durrës dhe Kavajë.

Gjithashtu, të konfiksuara janë kuotat në një kompani private dhe një automjet BMV. SPAK dyshon se këto pasuri janë krijuar nga të ardhura të përfituara nga trafiku i drogës.

Ai u shpall fajtor për trafikim të narkotikëve dhe u dënua në vitin 2010 nga Gjykata e Apelit për krime të rënda me 10 vite e 8 muaj burg. Në vitin 2023, Hatija u arrestua me qëllim ekstradimin në Itali. Por fitoi lirinë me argumentin se e kishte shlyer dënimin në Shqipëri për të njëjtën vepër penale.

“Zoti i Drogës”, sic njihej Alket Hatija, akuzohej nga autoritetet italiane të drejtësisë se trafikoi në Milano 190 kg kokainë, 350 kg heroinë me vlerë 40 milion Euro.


TE KONFISKUARA:

  1. Pasuria e paluajtshme e llojit “truall”, me sipërfaqe 495 m2, me adresë Lagjia “Plazh”, Durrës, në pronësi të shtetasit Alket Hatija.
  2. Pasuria e paluajtshme e llojit “truall”, me sipërfaqe 320 m2, me adresë Lagjia “Plazh”, Durrës, në pronësi të shtetasit Alket Hatija;
  3. Pasuria e paluajtshme e llojit “garazh”, me sipërfaqe 14.74 m2, me adresë Lagjia Nr.13, Plazh, Durrës, në pronësi të personit të lidhur M. H.
  4. Pasuria e paluajtshme e llojit apartament, me sipërfaqe 118 m2, me adresë Lagjia nr.1, Rruga “Taulantia”, Durrës, në pronësi të personit të lidhur F.H.
  5. Pasuria e paluajtshme e llojit “apartament”, me sipërfaqe totale 65 m2, me adresë Kryemëdhenj, Kavajë, në pronësi të shtetasit F. H.;
  6. Automjeti tip autoveturë i markës BMW, prodhim i vitit 2003;
  7. 49% e kuotave të subjektit “Aquila Marble” sh.p.k., që i përkasin personit të lidhur M.H.;

Klan News