Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit ka lënë në fuqi masën e sigurisë pezullim detyre për kreun e Komisionit të Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyri.

Po ashtu, në fuqi u la detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore. Për këtë arsye, Myzyri duhet të paraqitet para oficerit të Policisë Gjyqësore, të hënën e parë të çdo muaji në orën 12:00.

Kujtojmë se Myzyri është marrë i pandehur për shkelje të barazisë në tendera në lidhje me procedurë prokurori për mirëmbajtjen e aksit rrugor rruga Rrëshen (Ura e Fanit) – Shpal, Shpal – Q. Bene – Hadroj, Shpal – Ura e Repsit.

Sipas SPAK, Komisioni i Prokurimeve në mënyrë të paligjshme ka favorizuar bashkimin e dy operatorëve ekonomike ku pas veprimeve hetimore ka rezultuar se kanë paraqitur dokumente të falsifikuar.

Për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera janë marrë të pandehur edhe disa zyrtarë të tjerë, ndërsa për falsifikim të dokumenteve tre persona./tvklan.al