Gjykata e Posaçme la në burg kryebashkiakun në detyrë të Himarës, Jorgo Goro, deri në përfundim të hetimeve. Në seancën e kësaj të marte, u verifikua masa edhe për dy ish-zyrtarët e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Vezir Gjikoka dhe Bilbil Aliaj. Për këtë të fundit u lehtësua masa nga “Arrest në shtëpi” në “Detyrim për t’u paraqitur”.

Prokuroria kërkoi lënien në fuqi të masave të sigurisë të lëshuara në mungesë në 23 mars. Mbrojtja e Jorgo Goros, tha se ai vetëm kishte firmosur dokumente të përpiluara nga vartësit e tij, që janë edhe ekspertë të fushës. Në këtë mënyrë Goro mohoi akuzat e SPAK se ka shpërdoruar detyrën në dy raste.

Prokuroria thotë se Goro në bashkëpunim me vartësin e tij Jerasim Bashi, nuk kanë kryer verifikime për disa dokumente të dorëzuara nga Stavri Mëhilli, për pronësinë e një sipërfaqe prej 5512 m². Gjithashtu ai ka dorëzuar pranë Kadastrës, dosjen e tij pa marrë miratimin e Qarkut Vlorë, i domosdoshëm për nxjerrjen e dokumenteve të pronës.

SPAK e akuzon Goron se ka marrë kompetenca të një institucioni tjetër në trajtimin e një kërkesë për dyshimet e mbivendosjes së një prone. Në kërkim për këtë dosje janë edhe 2 persona të tjerë, Jaresim Bashi dhe Stavri Mëhilli.

Tv Klan