Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka pranuar këtë të mërkurë, 8 prill, kërkesën e ish-kreut të ARRSH-së, Ervis Berberit dhe të pandehurve të tjerë për të zhvilluar procesin me procedurën e gjykimit të shkurtuar.

Por, u veçua Valter bBegaj dhe shoqëritë “Net group” dhe “DAAM” shpk, të cilët do të ecin me gjykim të zakonshëm.

Megjithatë, prokuroria kishte kërkuar që të mos pranohej gjykimi i shkurtuar për Ervis Berberin, Erjon Lamin, si dhe Brunilda Bullin.

Sakaq, në seancën e radhës, Prokuroria e Posaçme duhet të bëjë gati konkluzionet përfundimtare.

Në qershor të 2025, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, njoftoi se ka çuar në gjyq ish-kreun e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ervis Berberin dhe 21 persona të tjerë, si të dyshuar se janë përfshirë në korrupsion, pastrim parash, falsifikim dokumentesh dhe shkelje të barazisë në tendera.

SPAK ka hetuar mbi 8 procedura tenderimi dhe në 6 prej tyre ka rezultuar se Berberi, është korruptuar nga 3 biznesmenët, Valter Begaj, Brunilda Buli e Ervis Lami, të bashkëpandehur me të, në vlerën e mbi 77 milionë lekëve.

Këto para, janë marr nga ish-zyrtari nëpërmjet kompanisë DAAM shpk, pronësinë e të cilës ia kishte kaluar fiktivisht 3 biznesmenëve në 2019.

Përmes hetimeve dhe të dhënave të përftuara nga kompjuterat dhe telefonat e të pandehurve, SPAK thotë se ka dokumentuar që Berberi kishte lidhje dhe kontrollonte këtë kompani duke përdorur financat e saj.

Ndërkohë, hetimet për 8 tenderat, kanë nxjerr edhe përfshirjen e zyrtarëve të tjerë në shkeljen e barazisë së kompanive në procedurat e prokurimit, duke favorizuar në 7 raste kompaninë “Net group” SHPK dhe në një rast tjetër “EuroElektra” Shpk.

Për këtë arsye, 18 zyrtarë, janë marrë të pandehur për akuzat e “Shkeljes së barazisë në tendera”. 3 prej tyre edhe për falsifikim dokumentesh në funksion të favorizimit të kompanive.

Në kuadër të këtyre hetimeve, SPAK ka vënë në sekuestro kompaninë DAAM shpk dhe 12 pasuri të tjera.

/tvklan.al