Partia Demokratike kërkon që kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi, të japë shpjegime përpara Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Medias për kriteret mbi të cilat është bazuar institucioni në vendosjen e masave administrative ndaj disa televizioneve.

Kryetarja e këtij komisioni, Jorida Tabaku, e ka cilësuar këtë sjellje të AMA-s në kundërshtim me Kushtetutën.

“Me kanë kontaktuar të paktën 8 televizione, në cilësinë e kryetares, sa i përket disa gjobave që AMA ka vendosur për 8 televizione, disa prej tyre kombëtare dhe jo kombëtare. Gjobat janë vendosur me justifikimin e nxitjes së dhunës”, tha Tabaku.

Sipas Tabakut, gjobat ndaj medias po përdoren për t’i mbyllur hapësirën zërit opozitar.

“Kjo është përpjekje e qeverisë për të intimiduar çdo zë kritik, është përpjekje e qeverisë për të mbyllur çdo zë kritik. Ashtu siç po vendos gjoba për qytetarët që protestojnë në rrugë, po vendos gjoba edhe për TV. Është bërë AMA polici mendimi”, u shpreh deputetja e PD-së.

Kjo kërkesë është nënshkruar nga 5 deputetë demokratë.

Klan News

/tvklan.al