Planet e presidentit amerikan Donald Trump për të rinovuar një fushë golfi në Uashington, D.C., janë pezulluar të paktën për momentin, shkruajnë mediat e huaja.

Një gjykatëse federale urdhëroi administratën Trump që ta mbajë të hapur parkun “East Potomac” të paktën deri më 28 nëntor, duke lëshuar një urdhër ndalimi të përkohshëm dyjavor, ndërkohë që ajo shqyrton një padi të ngritur nga organizata “DC Preservation League”.

Përpjekjet e Trumpit për ta mbyllur dhe rinovuar parkun kanë ngecur në një betejë ligjore prej muajsh.

Në janar, Trumpi mori nën kontroll tri fusha publike golfi në Uashington, D.C., përfshirë “East Potomac Golf Links”, në kuadër të synimit të tij për ta shndërruar “East Potomac”-un në një fushë golfi të nivelit kampionat.

Fusha ndodhet brenda një parku që përdoret gjithashtu nga këmbësorët dhe çiklistët. Administrata kishte arritur një marrëveshje me operatorin e fushës, por u padit nga “DC Preservation League” dhe disa banorë të zonës.

Më 26 tetor, Trump njoftoi se administrata e tij do ta mbyllte parkun më 15 nëntor, “me qëllim rinovimin dhe rindërtimin” e objektit, për ta shndërruar në një fushë “plotësisht të aftë për të pritur ngjarje të mëdha, siç është turneu ‘U.S. Open'”.

Pak orë para kohës së planifikuar për mbyllje, gjykatësja Ana C. Reyes miratoi një urdhër ndalues ​​dyjavor për “Preservation League” , ndërkohë që ajo shqyrton padinë e ngritur.

Më herët gjatë kësaj vjeshte, qeveria kishte hequr qindra pemë nga fusha, në kuadër të rikonstruksionit të planifikuar.

Trump shprehu zemërim të madh ndaj këtij vendimi përmes postimeve në rrjetet sociale, të shtunën në mbrëmje dhe të dielën në mëngjes.

Ai e quajti fushën aktuale “Ishulli i Plehrave” (Trash Island) dhe theksoi se ajo nuk është e sigurt, pasi pistat e lojës janë tepër afër njëra-tjetrës.

“Kur ecën nëpër shtigjet e ‘Ishullit të Plehrave’, nuk dëgjon zhurmën e lumit Potomac që rrjedh; e vetmja gjë që dëgjon janë njerëzit që bërtasin ‘FORE!'”, shkroi presidenti të shtunën në platformën e tij, “Truth Social”.

Të dielën, ai deklaroi se Departamenti i Brendshëm do ta apelojë vendimin e gjykatëses Reyes, duke e cilësuar atë si “tejet shkatërrues dhe politik”.

/tvklan.al