Gjykata e Apelit në Kosovë e ka konfirmuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, sipas të cilit deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lista Serbe, Ivan Todosijeviq, ishte dënuar me dy vjet burgim në nën akuzat për nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik.

Todosijeviq pati deklaruar në mars të vitit 2019 se “arsye për agresionin e NATO-s ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut”.

Deklarata e tij përkonte me 20-vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s në caqet e ish-ushtrisë jugosllave – fushatë kjo që i dha fund luftës në Kosovë.

Ai në atë kohë mbante postin e ministrit të Administratës dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Kosovës, por u shkarkua nga kryeministri i atëhershëm i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj.

Pas vendimit të Gjykatës Themelore, mbrojtja e të pandehurit ishte ankuar në Gjykatën Supreme, duke thënë në ankesë se “mbrojtja konsideron se veprimi me të cilin ngarkohet i akuzuari nuk është vepër penale dhe për këtë aktakuza duhet të hedhet”.

Sipas mbrojtjes, veprimi inkriminues nuk ka shkaktuar trazira, dhunë ose pasoja tjera të rënda siç parasheh në formën e rëndë të kësaj vepre Kodi Penal. Mbrojtja gjithashtu ishte thirrur në të drejtën e lirisë së shprehjes së mendimit.

Mirëpo Gjykata e Apelit në vendimin e saj ka thënë, ndër të tjera se, deklarimi i të akuzuarit në tubimin me qytetarë, ditën kritike, nuk mund të trajtohet si liri e shprehjes së mendimit por, ajo në vete përmban plotësisht formën e nxitjes së urrejtjes dhe përçarjes ndaj popullatës së përkatësisë shqiptare në Kosovës.

Masakra e Reçakut, njihet si një nga ngjarjet që ka shënuar kthesë në diplomacinë ndërkombëtare në raport me Serbinë dhe Kosovën, duke u paraprirë proceseve që çuan te fushata e bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake të Serbisë.

Vrasja e 45 civilëve shqiptarë nga forcat paramilitare serbe në Reçak ishte cilësuar “krim kundër njerëzimit” nga ish – shefi i Misionit Verifikues në Kosovë, ambasadori William Walker.

Pas shpalljes së vendimit të Gjykatës së Apelit ka reaguar përmes një deklarate Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. Sipas kreu të kësaj zyreje, Petar Petkoviq, “me vendimin e turpshëm, gjyqësori i Prishtinës i shkaktoi dëme të pallogaritshme procesit të pajtimit në Kosovë”.

Në zgjedhjet parlamentare të mbajtura në Kosovë në shkurt 2021, Todosijeviq mori mbështetjen e votuesve dhe u zgjodh një nga dhjetë deputetët e Listës Serbe. Ai mban edhe pozitën e kryetarit të Zveçanit në kuadër të strukturave paralele serbe në Kosovë./REL